Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka ftuar presidentin Hashim Thaçi, që të japë dorëheqje.
Kurti, në një intervistë për “ABC News” ka deklaruar se nuk është prioritet i tij shkarkimi i presidentit Thaçi, por dorëheqja e tij do të bënte mirë.
“Thaçi do të bënte mirë të tërhiqej se populli ka vendosur për ndryshim. Nuk u takova me presidentin Thaçin se ai mbajti një fjalim dhe shkoi, por do të kem takim me të dhe do jetë një takim shumë i mirë për Kosovën”, ka thënë Kurti.
Ai është shprehur kundër Mini-Schengenit ballkanik. Kurti ka thënë se nuk do ta lejojnë Jugosllavinë e katërt.
“Serbia është e angazhuar për të krijuar një platformë të re për Serbinë e madhe. Serbisë i nevojitet një platformë për t’u zgjeruar dhe Jugosllavinë e katërt nuk duhet ta lejojmë, është synimi i Serbisë”, është shprehur kreu i VV-së, Albin Kurti.
Kreu i VV-së, pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se beson që ky i fundit nuk e mbështet shkëmbimin e territorit.