Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Tahiri përplasen në Kuvend

Periudha për të cilën mund të merret Institutin e Dokumentimeve të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka shkaktuar përplasje të ashpër në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, të premten në Kuvend në shqyrtimin e parë të Projektligjit për këtë institut.

Teksa Tahiri ka thënë se është gabim që ky institut të merret me ngjarjet që kanë ndodhur deri në fund të vitit 2000 duke shtuar se në atë periudhë s’ka pasur luftë, Kurti ka deklaruar se Instituti do të merret me “ato që kanë ndodhur para luftës e që kanë shpirë te lufta e mund të merret edhe me krimet e pasluftës”.

Në kundërreplikën ndaj Tahirit, Kurti ka akuzuar deputetin e PDK-së se ka qenë në anën e atyre “që në korrik të vitit 2013 amnistuan kriminelët e veriut”.

“S’kemi kurrfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu. Mjaft me gjepura deputeti me shurdhues”, iu drejtua Kurti Tahiri që iu përgjigj duke i thënë se “nuk e kupton se çfarë sikleti ka që t’i fusë periudhën e hetimit të krimeve të luftës deri në 31 dhjetor të vitit 2000”.

Përplasja ka nxitur reagimin e kryesueses së Kuvendit, Saranda Bogujevci, që ka kërkuar përmbajtje.

Përplasja Kurti-Tahiri ka vazhduar edhe gjatë fjalimit të Bogujevcit.