Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do të ketë vota të mjaftueshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë e re pa koalicione paszgjedhore. Ai thotë se mund të marrë vota nga deputetët joserbë si dhe nga ndonjë deputet opozitar.
“Ne veçse e kemi bërë koalicionin para zgjedhjeve, dhe ky koalicion parazgjedhor të cilin e kemi krijuar me listën e presidentes Vjosa Osmani, gjë që ka bërë që këto zgjedhje të parakohshme të shndërrohen në referendum të njerëzve, ku ne arritëm fitore me një lumë votash. Si pasojë, ne nuk shohin asnjë parti tjetër nga “garda e vjetër” apo “Ancien Régime” siç parapëlqejmë t’i quajmë, si partner të ardhshëm të qeverisë sonë. Si rrjedhojë, nëse me 50 për qind të votave, ne nuk kemi 61 deputetë të parlamentit për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, ne planifikojmë të marrim deputetë të parlamentit nga minoritetet joserbe, dhe ndoshta disa anëtar të parlamentit nga opozita të cilët thjeshtë do të donin të përfaqësonin njerëzit të cilët i kanë votuar, përkundër partive të cilave u përkasin. Jam i bindur se qeveria jonë do të ketë shumicën, pa pasur nevojë të hyjë në asnjë lloj negociatash me ata të cilët janë mundur nga lista jonë e përbashkët”, ka deklaruar Kurti.
Kurti në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA), ka insistuar sërish se dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritetet e tij.
“Këto janë ditët që festojmë përvjetorin e 13-të të shpalljes së pavarësisë, dhe kemi vënë re se në çdo sondazh, në çdo pyetësor, opinion publik, lokal apo internacional, dialogu me Serbinë është prioriteti numër gjashtë ose shtatë. Ne do të bëjmë një koncesion dhe ta shndërrojmë në prioritetin numër katër pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë Covid-19. Ne do të hapim një kapitull të ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë bazuar në dyanshmëri dhe barazi, ku të dyja palët do të shpalosim marrëveshjet paraprake të këtyre gjashtë viteve të dialogut në Bruksel ku Beogradi thotë se kemi 47 marrëveshje, ndërkohë që ne insistojmë që kemi vetëm 33 të tilla, disa prej të cilave do të implementohen pjesërisht, disa plotësisht, e disa nuk do të implementohen fare. Sidoqoftë, nuk do të jetë e lehtë, mirëpo unë shpresoj se do të arrijmë të krijojmë një dialog të ri nën kujdestarinë e Brukselit dhe më ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Unë besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të bëhet në kurriz të normalizimit të këtyre njësive të veçanta, përkatësisht Serbi dhe Kosovë”, ka shtuar Kurti.
Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Kurti deklaroi se do të punojë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, për të ndryshuar mendim rreth mëvetësisë së Kosovës.
“Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një proces që po ecën shumë ngadalë. Kjo për arsye se nga njëra anë, ne akoma nuk kemi liberalizimin e vizave, megjithëse kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kurse nga ana tjetër, kemi pesë vende mosnjohëse: Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron. Unë planifikoj të punoj me këto shtete dhe t’i bind ato se nuk duhet t’i frikësohen pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj, dhe se nuk duhet ta krahasojnë veten e tyre me Serbinë e cila kreu gjenocid në pranverën e 1999-ës në Kosovë. Integrimi i Kosovës në BE është diçka që të gjithë njerëzit në Kosovë e duan, mirëpo unë njëherit e di që ne nuk do të futemi në BE, por nga vetja dhe brenda vetës, ne do të krijojmë vlera dhe standarde evropiane. Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, akoma e pa integruar në BE, nuk janë thjeshtë fqinjë të BE-së, meqenëse jemi të rrethuar nga BE-ja, dhe të gjitha këto gjashtë shtete duhet të përfshihen sa më shpejtë të jetë e mundur. Ballkani dhe BE-ja janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin”, ka deklaruar Kurti./KSP