Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefin e stafit të tij, Luan Dalipi, sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësuesit e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Evropa dhe Australia, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Kurti, fillimisht ka falënderuar ata për angazhimin e tyre në Kosovë dhe ka theksuar se Qeveria që ai drejton, promovon një komunikim të dyanshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës me diasporën. Në kuadër të këtij takimi është diskutuar për rolin e qeverisë në lehtësimin e investimeve të huaja direkte, si dhe planin për krijimin e Këshillit Nacional për Investimet e Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, ai i njoftoi pjesëmarrësit e këtij takimi virtual që këtë javë, së bashku me Qeverinë Gjermane, është lansuar thirrja për t’iu bashkuar Parkut të Trajnimeve dhe Inovacionit (ITP) në Prizren.
“ITP në Prizren do të shërbejë si një pikë qendrore në rajonin e Ballkanit Perëndimor për inovacion, zhvillim të ndërmarrësisë dhe biznesit”, thuhet në komunikatë
Kurti ka shtuar se, “derisa jemi ende duke punuar me vëmendje të plotë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kemi filluar lehtësimin e masave në përputhje me situatën epidemiologjike. Urojmë që së shpejti do të hapim kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët tanë”.
Në fund, Kurti siguroi të ata se Qeveria që ai drejton është duke punuar që të krijojë të gjitha kushtet për bizneset nga diaspora për të investuar në atdhe.