Arbëri

Kurti: BE-ja ta rrisë mbështetjen për Policinë e Kosovës

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX ka ndarë medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje për Njësinë Rezervë të Policisë së Specializuar të tij, e cila zbarkoi në Kosovë në muajin mars.

Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se njësia është dëshmi për synimin e BE-së që t’i ndihmojë Kosovës.

"BE është e pranishme prej 99-s në forma e formate të ndryshme.... Ky është një investim serioz që është bërë në Kosovë e që dëshmon qartë synimin tonë për të ndihmuar Kosovën. Janë disa prioritete që janë të rëndësishme për Kosovën. Dëshiroj të shprehë falënderimin tim të sinqertë për atë që jemi duke bërë”, tha ai.

Kurse, kryeministër i Kosovës Albin Kurti tha se mbështetja e BE-së për Policinë e Kosovës duhet të vazhdojë të rritet.

Ai shtoi se mekanizmat evropianë të sigurisë duhet të jenë më të sigurt se kurrë karshi realitetit të ri me luftën në Ukrainë.

“Po jetojmë një kontekst krejtësisht të ri. Një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë në Evropë. Mekanizmat evropianë të sigurisë duhet të jenë evropian dhe të sigurt si kurrë më parë, i kërcënuar nga mungesa e transparencës, sundimi i ligjit vuante edhe nga korrupsioni i lartë... Mbështetja juaj për Policinë tonë duhet të vazhdojë duke u rritur. Korrupsioni dhe krimi në Kosovë kanë treguar se sa lehtë është të ndikosh në ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi. Qeveria jonë është e pozicionuar në anën e qytetarëve, vlerësojmë bashkëpunimin me partnerët në ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe sigurinë e qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.

Njësia Policore e Specializuar e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, si pjesë përbërëse e mekanizmit treshtresorë të reaguesve të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe NATO/KFOR-i është i treti.

Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NJPD-ja e EULEX-it angazhohet vetëm me kërkesë të drejtpërdrejtë të Policisë së Kosovës dhe me qëllim të uljes së tensioneve dhe rivendosjes së rendit publik, si dhe për ta mbrojtur jetën, integritetin dhe pronën e popullatave të prekura.

Më 14 mars 2022, EULEX-i përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarëve nga Portugalia dhe Franca. NJPS rezervë u zbarkua duke iu përgjigjur nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren dhe në mënyrë që ky mision të jetë në gjendje t'i mbështesë autoritetet kosovare nëse kjo kërkohet dhe nëse është e domosdoshme.