Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kursani: Rusia e nisi luftën për shkak të SHBA-së

Ligjëruesi kosovar në Estoni, Shpend Kursani, deklaroi se luftën në Ukrainë, Rusia e nisi për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai deklaroi për “Sonte Java me Rronin” në KTV se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të arrijë marrëveshje me presidentin Joe Biden, e jo me Ukrainën.

“Putini këtë luftë e ka nisur për shkak të SHBA-së. Putini nuk do të arrijë marrëveshje me Ukrainën. Putini do marrëveshje me SHBA-në, e prandaj ky është aspekti tjetër që unë mendoj se ka me zgjat këtë luftë. Nuk e ka Putini me Ukrainën. Putini këtë luftë e ka nisur për shkak të marrëdhënieve të saj me SHBA-në”, tha Kursani.

Sipas njohësit të politikave ndërkombëtare, në rast se Putin nuk e merr vëmendjen e SHBA-së, në të ardhmen “mund ta ngacmojë ndonjë anëtar të NATO-s”, që sipas Kursanit, lufta mund të zgjerohet.

“Nëse Putini nuk e merr vëmendjen e SHBA-së, mund edhe në të ardhmen të ngacmojë ndonjë anëtar të NATO-s, që të ftojë kundër reagim nga NATO dhe ta zgjerojë luftën. Atëherë besoj se kjo është çka po do, një ri-rregullim, ku pozicioni i Rusisë do të rregullohej”, deklaroi ai.

Kursani deklaroi se kërcënimet ruse ndaj Ukrainës mund të zgjidheshin me konsensione mes Rusisë dhe SHBA-së.

“Kam menduar që Putini dhe Bideni janë në kontakt që një kohë, qëkur Rusia kërcënoi se do ta sulmonte Ukrainën. Kam menduar se do të merreshin vesh”.

Tutje, Kursani, tha se situata në Estoni nuk ka ndonjë dallim të madh nga ato në vendet e tjera, derisa shtoi se tek populli po vërehet një habi.

“Si shtet apo qeveri e Estonisë, nuk është se kanë ngritur ndonjë kapacitet shumë të lartë. Nuk ndihen si shtet ende në ndonjë kërcënim të menjëhershëm, kjo ndoshta edhe ndodhë të jetë për dy arsye: anëtarësimi në NATO dhe Estonia për një kohë ka ushtri të obligueshme, ku vazhdimisht sa herë kam ardhur, vazhdimisht shoh ushtrime ushtarake edhe në qytete”, tha ai.

Ligjëruesi universitar tha se Putini nuk e ka parashikuar rezistencën ukrainase, derisa ky i fundit sipas Kursanit, ishte nisur me idenë se do ta pushtonte brenda pak ditëve.

“Këto ditë edhe vet Putini nuk e ka të qartë se çka duhet të bëjë ai vet me këtë luftë që e ka filluar. Rusia nuk e ka pritur një rezistencë të tillë në Ukrainë, çka po bën Rusia nuk është e çuditshme së paku prej teorive më dominonte të marrëdhënieve ndërkombëtare me të cilat SHBA-ja funksion. Këto teori i kanë disa mangësi, që aspektet e brendshme nuk i marrin parasysh. Putini është nisur me idenë që është ushtri e madhe, Ukraina më e dobët, dhe e ka menduar se kjo luftë nuk do t’i zgjatë më tepër se dy ditë. Këtë e ka bazuar se ukrainasit nuk rezistojnë, tash ka hasur në rezistencë, që mendoj se është i drejt, po çmimi në njerëz po duket shumë i madh”, tha ai.

Duke folur për Kosovën, Kursani theksoi se vendi është kurthuar në sigurimin e ekzistencës së saj.

“Kosova më së pari është e kurthuar fatkeqësisht, duhet ta sigurojë ekzistencën e saj. Siç pati thënë Stalini, para se të fillojë të përhapet socializmi, së pari duhet të ekzistojë. E këtu mendoj se e ka pasur mirë, para çdo gjëje tjetër, duhet të mendohet a ekziston. Kosova është e vogël dhe besoj se prej 17 Shkurtit 2008, është në krizë ekzistenciale vetëm pse s’kemi ditur apo dashur ta kuptojmë. Ka mekanizma se si ta kuptojmë atë. Këto lëvizjet jashtë, kontrollit, në NATO, BE, mund ta ngritë zërin dhe t’i përsërisë argumentet e saj që i ka, e me gjasë, ndoshta mund të ketë ndonjë lëvizje, por jo të madhe karshi Kosovës nëse konflikti mbetet vetëm në Ukrainë”.

Për themelimin e Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës, Kursani tha se është e duhur, mirëpo duhet rikonsideruar edhe politikat fiskale.

Artikuj të ngjashëm