Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kur Putini e donte NATO-n, analizë e FP-së se si Perëndimi u afrua me Rusinë pas Kosovës

Në një analizë të publikuar të martën, “Foreign Policy” ka kujtuar kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ishte kundër NATO-s, e se Moska synonte lidhje më të afërta me Perëndimin. Bombardimet në luftën e Kosovës ishin momenti që largoi edhe më larg të dy palët. Por pas kësaj nisi një “rrugë” e përafrimit të qëndrimeve.

Bota ka kaluar edhe një javë pa shpërthyer ndonjë luftë e madhe në Evropë. Duke konsideruar zhgënjimin e presidentit rus Vladimir Putin me Perëndimin dhe paralajmërimin e tij për pasoja katastrofike pas negociatave me NATO-n për çështjen e Ukrainës, “armëpushimi” s’pritet të zgjasë.

Nga ana e Perëndimit është një njeri që i di mirë mendimet e Putinit për sigurinë e Rusisë dhe Evropës dhe që ka bashkëpunuar me sukses me të në situata tejet ekstreme. Sot, ai është duke parashikuar një përkeqësim të situatës. Është shprehur i habitur me ndryshimin e qëndrimeve të ish-bashkëpunëtorit të tij. Mendimet e tij mund t’u ndihmojnë krerëve të Perëndimit teksa përpiqen të shmangin luftën me Rusinë. Bëhet fjalë për ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson.

Për “FP-në” ai ka kujtuar kohën se si kishte arritur të përafronte qëndrimet NATO-Rusi në periudhën pas bombardimeve në Kosovë.

Robertson kishte shkuar në Moskë në shkurtin e vitit 2000, për takimin e parë me Putinin. Lideri i ri rus i asaj kohe ishte i panjohur për Robertsonin. NATO-ja aso kohe s’kishte as aeroplan të vetin për sekretarin. Varej nga zemërgjerësia e shteteve anëtare.

Edhe Robertson: Siguria e Kosovës ka rëndësi të madhe për NATO-n Arbëri Robertson: Siguria e Kosovës ka rëndësi të madhe për NATO-n

Vetë arritja në kryeqytetin rus ishte fitore për Robertsonin, që një vit më herët ishte ministër i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe. Pas një zbutjeje, raportet e Rusisë me NATO-n u ftohën nga vitet e ’90-ta. Më 1999, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve ndaj Serbisë për shkak se po kryente spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë, thuhet në këtë analizë.

Kampanja nxiti përçarje të madhe me Moskën, aleat i kamotshëm i Serbisë. Kur Putini u emërua kryeministër në gusht të vitit 1999, konfliktit po i vinte fundi, por raportet e ftohta mbetën. “Rusët ngelën të mposhtur nga situata në Kosovë”, ka kujtuar Robertson në një intervistë për “Foreign Policy”. “Ata u ndien se ishin kapur në befasi, madje të tradhtuar”.

Menjëherë pasi mori postin në NATO, Robertsoni udhëtoi drejt Washingtonit për të takuar presidentin amerikan të asaj kohe, Bill Clinton, që kishte ndihmuar në negocimin e Aktit Themelues NATO-Rusi, të miratuar më 1997, e përmes së cilit palët ranë dakord të bashkëpunojnë dhe të konsultohen. Po ashtu ishin pajtuar të mos kërcënojnë me forcë dhe NATO-ja premtoi se s’do të vendosë armë bërthamore në territoret e shteteve të reja anëtare. Presidenti amerikan sugjeroi se rindërtimi i raporteve me Rusinë duhet të ishte prioritet i Robertsonit, për të cilën u pajtua edhe ish-sekretari.

Por gjithçka ishte më lehtë të thuhej se të bëhej. Ambasadori i Rusisë në NATO, Sergey Kislyak, nuk e pëlqente fort Robertsonin, që e kishte përkrahur intervenimin në Kosovë. Për të arritur pajtimin, Robertsoni i premtoi Kislyakut vizita të shpeshta e bisedime të pandërprera.

Asgjë s’funksiononte.

“Asgjë që bëra nuk rezultoi mirë deri kur Putini erdhi në pushtet në vitin pasues”, ka thënë Robertson. “Në atë moment, fola me (ish-ministrin e Jashtëm rus) Igor Ivanovin. Menjëherë pas kësaj, pata një thirrje nga Moska dhe më thanë se ‘nëse po kërkon takim në Moskë, ne do ta konsideronim të favorshme’”. Në shkurt të 2000-s, Robertsoni arriti në Moskë, me shpresën për diçka më shumë.

Image
George Robertson dhe Vladimir Putin u takuan në tetor 2001 në Bruksel

Në takim me Putinin, Robertsoni ka thënë se i pari i Rusisë ia kishte bërë të qartë se “dëshiron të vazhdojë raportet me NATO-n, hap pas hapi”. Takimi kishte vazhduar me optimizëm, pasi Robertsoni i kishte thënë se e do Rusinë pjesë të Evropës Perëndimore. Optimizmi kishte vazhduar edhe me takimet e tjera me diplomatët rusë.

Si pjesë e Aktit Themelues, një Këshill i përbashkët ishte formuar. Ajo udhëhiqej me rotacion nga Rusia dhe NATO-ja. “Kislyak udhëhiqte njërin takim, unë tjetrin dhe kështu me radhë. Ishte rëndë. Takimet ishin të kufizuara për Ballkanin dhe s’ishin aq konstruktive”, ka shtuar Robertsoni. Pasi që shtetet e NATO-s dëshironin të punonin më ngushtë me Rusinë, Putini ishte pajtuar për një këshill të ri që do të udhëhiqej nga sekretari i NATO-s. “Ishte vendim i madh nga rusët, ndryshim i madh në pozicion”.

Në takimin e parë të këtij këshilli gjithçka ishte shoqëruar me harmoni e madje edhe me shaka të rusëve, ka kujtuar më tej Robertsoni.

Raportet u kishin mbijetuar edhe pas krizës së sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. “Madje Putini më pyeti se kur do ta ftoni Rusinë në NATO”, ka thënë Robertsoni. “Unë i thash se ‘ne nuk ftojmë shtete në NATO. Shtete aplikojnë dhe ne vendosim’. Ai më tha ‘ne nuk do të presim në linjë me shtetet që s’kanë rëndësi’. I thash ‘në rregull le t’i kthehemi ndërtimit të raporteve diplomatike dhe të shohim ku po na shpie kjo”.

As kjo nuk e uli shpirtin e bashkëpunimit nga Putini, sipas Robertsonit. Pas takimit të dy kishin mbajtur një konferencë për shtyp. Robertsoni kujton se një gazetar “i bënte pyetje të çuditshme” se a ndan qëndrimin e njëjtë me Putinin për kërkesën drejtuar SHBA-së për të drejtat e fluturimeve e qasjes në porte. “Isha i mllefosur me veten që s’e përmenda në takim, por para se të thosha diçka tjetër, Putini ndërhyri duke thënë se ‘Jo, s’e ka bërë dhe përse duhet ta bëjë? Është punë e NATO-s dhe s’ka të bëjë me Rusinë’. Kjo ishte tejet ndihmesë”, ka vazhduar Robertsoni kujtimin për takimet e vështira me Putinin.

Edhe Putini thotë se s’do të ketë më luftëra nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt Botë Putini thotë se s’do të ketë më luftëra nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt

Robertsoni ka kujtuar tri gjëra kur Putini nuk ishte lider i qetë e me figurë presidenciale. “Gjeorgjia, Çeçenia dhe Letonia”.

Në vitin 2003, Putini ishte përgjigjur në një pyetje për Ukrainën. “Ukraina është shtet i pavarur e sovran dhe ajo e zgjedh rrugën e vet për paqe e siguri”, ishte shprehur ai, duke “konfirmuar arritjen e Rusisë në komunitetin e kombeve perëndimore”.

Por kjo ishte fundi. Gjithçka mbaroi.

Lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë më 2008 shkaktoi përplasje me NATO-n. Ndërhyrja e saj me Ukrainën më 2014 – që mbetet ende konflikt i hapur – thelloi dallimet. Pak pas ndërhyrjes, NATO-ja pezulloi takimet e rregullta me Rusinë.

Sot raportet mes Rusisë dhe NATO-s janë aq të përkeqësuara, sa që ka rrezik të ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë.

Ky ndërrim qëndrimesh e ka shokuar Robertsonin, që ndër perëndimorët e njeh më së miri qasjen e Putinit për aleancën.

“Në të gjitha takimet dhe bisedat që kishim, kurrë s’u ankua për zgjerimin e NATO-s. As edhe një herë”, ka thënë Robertsoni. “Më 2002 patëm zgjerimin, shtatë shtete iu bashkuan NATO-s, të gjitha nga Pakti i Varshavës, përfshirë tri nga Bashkimi Sovjetik. Por as njëherë s’u ankua”.

Traktati i Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë (CFE) i 1990-s caktonte limite për militarizim të forcave ushtarake në Evropë. Për këtë s’pajtoheshin palët.

Sot, Robertsoni ka problem të mirëkuptojë ndryshimin e Putinit. Sipas tij, çështja e izolimit po ia humb Putinit kontaktin me realitetin dhe ka nisur t’i besojë propagandës së vet.

Në tetor të vitit të shkuar, pasi NATO-ja hoqi akreditimet për tetë rusë që punonin për misionin e Rusisë në NATO, Moska mbylli misionin.

Edhe Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan Arbëri Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

“Nëse rusët me të vërtetë besojnë se NATO-ja paraqet rrezik për ta, është kusht psikologjik, jo pozicion negociues. Kjo më shqetëson. Putini duket se është bërë emocional për Ukrainën sot, saç ishte për Gjeorgjinë, Çeçeninë e Letoninë atëherë”, ka thënë Robertsoni.

Përgatiti: Endrit Berisha