Arbëri

Kundërshtohen planet e Komunës së Prizrenit për sistemimin e disa OJQ-ve

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prizrenit ka planifikuar sistemimin e disa Organizatave Joqeveritare të komuniteteve të ndryshme në Qendrën Kulturore Boshnjake. Por kjo po kundërshtohet nga aktivistët rinorë e kulturorë të këtyre organizatave, që po kërkojnë vazhdimin e shfrytëzimit të hapësirave në qendrën në lagjen “Ortakoll”.

Planet e autoriteteve prizrenase për sistemimin e disa organizatave joqeveritare të komuniteteve në hapësirat brenda Qendrës Kulturore Boshnjake po hasin në kundërshtim.

Këto OJQ kulturore e rinore po kërkojnë që aktivitetet t’i vazhdojnë në Qendrën rinore-kulturore në lagjen “Ortakoll”. Përfaqësues të këtyre organizatave thonë se ajo qendër është më e përshtatshme dhe u është dedikuar teatrove amatore të Prizrenit, të komuniteteve të ndryshme.

Fatmir Menekshe nga “Durmish Asllano”, organizatë që përfaqëson romët, e ka shprehur prerazi kundërshtimin e tij.

“Assesi ne nuk e pranojmë një gjë të tillë. Varësisht për ndonjë aktivitet të rastit mund të bashkëpunojmë edhe me Qendrën Kulturore Boshnjake, por të stacionohemi aty, duke e ditur që edhe komuniteti boshnjak kanë nevojë për një hapësirë të tillë, që me vite të tëra ndoshta më shumë se 1 dekadë e pret një objekt të tillë, ku mund t’i zhvillojë aktivitetet e veta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore boshnjake dhe duke e ditur që ka edhe shumë organizata boshnjake, nuk mendojmë dhe nuk kërkojmë që të stacionohemi në hapësirën e dedikuar për komunitetin boshnjak” ka thënë Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Asllano”.

Në Drejtorinë për Kulturë të kësaj Komune kanë dhënë arsyet e veta për këtë plan.

“Mirëpo, duke pas parasysh që hapësirat janë të pamjaftueshme në lidhje me kërkesat, ne kemi konsideruar që ajo pjesë e Qendrës Kulturore Boshnjake ka hapësira të mjaftueshme, është e re dhe ne duke e shfrytëzuar atë pjesë mund ta shpëtojmë nga demolimi, sepse ju e dini shumë objekte që janë rinovuar, janë ndërtuar dhe nuk janë shfrytëzuar ato kanë shkuar drejt demolimit”, ka thënë Adem Morina, drejtor i DKRS-së.

Rasim Demiri, politikan nga komuniteti boshnjak, ka vlerësuar se Qendra Kulturore Boshnjake duhet ta ruajë këtë emërtim, derisa prania e komuniteteve të tjera, sipas tij, vetëm se e begaton këtë ndërtesë publike.

“Ajo çka është me rëndësi për neve, prej fillimit, dhe kërkesa që është dërguar dhe për të cilën kemi diskutuar dhe jemi marrë vesh të gjithë, është që kjo ndërtesë të quhet Qendra Kulturore Boshnjake. Për neve ky është prioritet, pra qëllimi ynë kryesor. Ndërsa përdorimi i saj edhe nga të tjerët është begati dhe kësisoj tregojmë madhështinë dhe dëshmojmë se Prizreni është qytet shumetnik”, ka thënë Demiri.

Komuna e Prizrenit rishtazi ka njoftuar se sa i përket Qendrës Kulturore Boshnjake, është në përgatitje të një udhëzimi gjithëpërfshirës dhe se në hartimin e tij do të përfshihen edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak.

Ceremonia e përurimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren në korrik të këtij viti ishte zhvilluar nën hijen e përplasjeve politike,dhe asokohe ishte theksuar se më 28 shtator në Ditën e Boshnjakëve, do të organizohet një ceremoni më dinjitoze.