Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kukaj: Prishtina po e mbyll vitin me 267 raste të dhunës në familje

Foto: Koha

Drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka njoftuar se kjo komunë vitin 2019 po e mbyllë me 267 raste të dhunës në familje.

Sipas njoftimit, ky numër është rritur, nga viti 2018 ku ishin 186 raste.

“Falë ndërmjetësimit të OSBE-së, këtë vit kemi themeluar një mekanizëm në nivel lokal me qëllim që të merremi me luftimin e kësaj dukurie. Brenda këtij mekanizmi janë të përfaqësuara të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, thuhet në njoftim.

Ai thotë se brenda këtij mekanizmi, janë pajtuar që rastet më të vështira që marrin trajtim në Strehimoren e Prishtinës nga viti që vjen të fillojnë implementimin e një pakete mbështetëse sociale.

“Sot u takuam për here të dytë që nga themelimi. U pajtuam që të takohemi çdo muaj me të vetmin qëllim që të rritet përgjegjësia e secilit prej nesh. Gjithashtu, u pajtuam që për rastet më të vështira që marrin trajtim në Strehimoren e Prishtinës nga viti që vjen ta fillojmë implementimin e një pakete mbështetëse sociale. Kjo paketë do të përfshinte asistencë financiare në banim dhe jetesë, e tentativisht edhe në punësim”, thuhet në njoftim.

“Masa si kjo e si shumë të tjera do jenë pjesë e Platformës sonë për mirëqenie sociale PRISHTINA E SECILIT, brenda së cilës gratë dhe fëmijët në situata të rënda sociale do marrin vëmendje të veçantë”, thotë Kukaj.