Arbëri

Kuçi: Në veri s’ka sovranitet, policët tanë i ruan KFOR-i

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë se në veri të Kosovës nuk ka sovranitet dhe se policët kosovarë i ruan misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, ajo ka thënë se po të mos ketë trupa të KFOR-it në Kosovë, kryeministri Albin Kurti do ta ketë të pamundur shtrirjen e sovranitetit në këtë zonë të Kosovës.

“Policët tanë (V.J. në veri) i ruan KFOR-i, s’ka sovranitet aty. Në momentin që KFOR-i shkon, Albin Kurti nuk mund ta shtrijë sovranitetin. Ajo pjesë nuk është që Kurti e ka në kontroll”, ka thënë ajo.

Kuçi më tej ka thënë se qëllimi i Kurtit është ta zbatojë autonominë apo Asociacionin.

“Qëllimi përfundimtar është zbatimi i autonomisë ose i Asociacionit, ose i Marrëveshjes së Ohrit, qyshdo që e quajmë dhe në fund meritat do t’i mveshen Albin Kurtit”, është shprehur ajo.

Zëdhënësja e PSD-së ka akuzuar opozitën se po bie në hegjemoninë e pushtetit.

“Kemi tentuar që partitë opozitare t’i parandalojmë që mos të bien në hegjemoninë e pushtetit. Këta me diskursin e tyre kanë rënë, petkun moral ua ka marrë Albin Kurti. Nuk po ndihen të denjë për të kritikuar duke u arsyetuar për të kaluarën e tyre. Sikurse këta vërtetë qenkan të padenjë për ta kritikuar Albin Kurtin, ndihen inferiorë ndaj tij”, ka theksuar ajo.