Prishtinë, 28 mars – Është një orkestër e dominuar nga harqet varësisht nga veprat që luan, e pjesë e saj bëhet edhe oboa në hapjen e edicionit të sivjetmë të koncerteve të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “DAM”. Të mbledhur në sallën ku ka dominuar ngjyra rozë, që është edhe ngjyrë identifikuese e njërit prej festivaleve më me traditë në vend, të pranishmit kanë nisur rrugëtimin muzikor që për gjashtë mbrëmje do të sjellë koncerte unike.
“Kuarteti i Parisit”, që ka performuar për herë të parë në Kosovë, ka interpretuar kryesisht vepra të reja, në përjashtim të asaj të Mozartit. Fantazia “Kuartet Op.2 për obo dhe trio harqesh” e kompozitorit anglez Benjamin Britten, që hyn në repertorin bashkëkohor të muzikës serioze, ka hapur mbrëmjen e parë të “DAM”. Kjo dhe veprat e tjera të interpretuara, vlerësohen si vepra për një publik me shije. Por publiku i “DAM” në 13 vjetët paraprakë është mësuar me repertorin e festivalit që sjell risi në qasjen ndaj muzikës serioze. “Trio për harqe” e kompozitorit francez Jean Cras e ka sjellë publikun në një tjetër dimension të bashkëkohores. “Dardania Sacra”, trio për harqe e kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj, ka bërë që bashkëkohorja sa i përket muzikës serioze, në këtë rrugëtim nëpër vepra t’i bjerë edhe nga Kosova.
Violonçelisti Vlorent Xhafaj ka thënë se bëhet fjalë për një program impenjativ sa u përket muzikantëve, por edhe për publikun.
Oboisti Oliver Doise ka thënë se shkaku i asaj që ka ardhur pasdite në Prishtinë dhe në mëngjesin e së mërkurës ka fluturuar për në Francë nuk do të mundë ta eksplorojë aspak qytetin ku ka interpretuar.
Por interpretimet në natën e parë të “DAM” nuk kanë përfunduar me kaq. Një pjesë e publikut është zhvendosur tek ish-mensa e “Ramiz Sadikut”. Në orën 22:00 aty ka nisur një tjetër mbrëmje muzikore. Nezafete Shala me bendin e saj ka bërë një kthim në kohë. E në mesditën e së martës flautistja Susanne Peters ka ligjëruar për studentët mbi temën “Repertori bashkëkohor i flautit”.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")