Arbëri

KTV sjell emocionet e ushtares kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës

Pas 20 vjetësh, kjo ushtare kanadeze, e cila shërbeu gjatë luftës së fundit në Kosovë, arriti t’i takojë këta persona, që atëherë ishin fëmijë të moshave 8 deri në 12 vjeç.

Mes emocioneve e lotëve, Sophie tregon se si në kohë lufte ajo ishte lidhur shumë me këta 21 fëmijë dhe për 6 muaj, sa qëndroi në komunën e Drenasit, i mësoi dhe u kujdes për ta.

Më tej ajo thotë se pavarësisht që nuk kishte asnjë informacion në lidhje me fatin e këtyre fëmijëve, vitin e kaluar kishte vendosur që t’i kërkonte dhe për më pak se 24 orë i kishte gjetur të gjithë.

“Erdhën dy policë ushtarakë dhe po kërkonin një udhëheqëse grua për t’u marrë me fëmijët refugjatë dhe më pyetën nëse doja të bëhesha unë lidere e tyre. U impresionova nga këta fëmijë dhe ishte e lehtë t’i duash ata. Është kënaqësi që i takoj pas 20 vjetëve. Isha e brengosur për ta, andaj në vitin 2018 fillova t’i kërkoja dhe shumë persona më ndihmuan t’i gjej”, thotë Sophie Boisvert Levesque – ushtare kanadeze në Kosovë.

Antigonë Brahimi është njëra nga 21 fëmijët, për të cilët ishte kujdesur Sofia, dhe thotë që ishin shumë të afërt.

Ajo tregon se është shumë e emocionuar që po e takon ushtaren pas 20 vjetëve.

Sophie Boisvert Levesque ishte ushtare kanadeze, që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ajo kishte qëndruar në Drenas për 6 muaj, duke u kujdesur edhe për fëmijët nëpër kampe në këtë komunë.