Arbëri

Kthimi në shkolla, ministrja Bajrami jep detajet

Me dëshirën për kthim në shkollë, fëmijët kanë intervistuar ministren në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami.

Ajo në emisionin “Sot” ka thënë se po presin dritën e gjelbër nga IKSHP-ja dhe MSH-ja për kthim të nxënësve në shkollë.

“Jo të gjithë nxënësit do të kthehen në shkollë. Në fillim të qershorit kemi menduar të kthejmë klasën e parë për shkak të alfabetit. Gjithashtu, edhe klasat e pesta, për shkak që kalojnë nga mësuesja në arsimtarë dhe kanë nevojë për përgatitje për mësim e përgatitje psikike për ndryshimet. Kemi kërkuar që të kthehen edhe klasat e 9 dhe 12 që të përgatiten për Testin e arritshmërisë dhe të maturës. Ministria e Arsimit dhe IKSH-ja kanë thënë që është e pamundur që të gjithë këta fëmijë të kthehen në shkollë në këtë kohë”, ka deklaruar Bajrami.

E pyetur për mësimin në distancë, Bajrami ka thënë se në disa komuna 10 përqind e fëmijëve nuk kanë marrë pjesë në mësimin në distancë.

“Kemi kërkuar që të kthehen edhe nxënësit që nuk kanë qenë pjesë e mësimit në distancë. Nëse këta fëmijë s’i kthejmë tani për shkak të kushteve me pandeminë, atëherë para fillimit të vitit të ri shkollor, do të ketë orë shtesë për të arritur atë që është humbur”, tha Bajrami