Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kthehet në rivendosje rasti i Sali Mekajt

Prishtinë, 25 maj – Është kthyer në rivendosje aktakuza në rastin e Sali Mekajt. Këtë vendim e ka marrë Gjykata e Apelit, të cilën e ka udhëhequr Mekaj deri vitin e kaluar, bën të ditur KTV.

“Është aprovuar ankesa e të pandehurit S. M. dhe mbrojtësve të pandehurve S. M., V. G. dhe M. S.,e sipas detyrës zyrtare edhe të pandehurit A.S. Aktvendimi i Gjykatës Themelore i datës 16.02.2017, më anë të të cilit ishte refuzuar kundërshtimi i provave në aktakuzë dhe hedhja e aktakuzës, është anuluar dhe çështja i është kthyer shkallës së pare në rivendosje”, është thënë në një komunikatë të Gjykatës së Apelit.

Sali Mekaj dyshohet për keqpërdorim të detyrës. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka qenë e detyruar të japë arsye konkrete se pse provat janë të pranueshme dhe pse ka gjetur se kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hedhje të aktakuzës është e pabazuar, duke përfunduar se Gjykata Themelore ka bërë shkelje të theksuara në këtë rast.

Gjyqtari Shasivar Hoti e ka mbyllur për publik gjykimin për korrupsion në rastin e Sali Mekajt. Ky ka qenë një prej vendimeve të tilla të vetme, ku Gjykata ka vendosur të mbyllë krejt gjykimin, e jo seancat veç e veç.

Artikuj të ngjashëm