Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë në reagimin e vet për vënien e taksës në Rrugën e Kombit, vlerëson se taksa është e papranueshme për realitetin ekonomik shqiptar, transmeton Koha.net.
Sipas këtij reagimi, Rruga e Kombit është ndërtuar me taksat e shqiptarëve dhe kostoja e saj ka kaluar çdo pritshmëri edhe për shkak të abuzimit nga qeveria Berisha, me ministër Transportesh asokohe Lulzim Bashën, sado që, shtohet në reagim, autoritetet e drejtësisë nuk e çuan në fund hetimin për këtë çështje.
Në vazhdim KSSHF thotë se qeveria socialiste duke e taksuar rrugën bëhet palë me vjedhësit.
KSSHF mendon se pagesa pritet të ketë impakt negativ në ekonominë shqiptare pasi shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të turistëve që vizitojnë vendin tonë gjatë gjithë vitit.
Sipas KSSHF-së është padrejtë që atyre t’u shtohet edhe një taksë, veç çmimeve të kripura që paguajnë për të kaluar pushimet në Shqipëri.
“5 euro për çdo veture dhe 10 euro për çdo kamion është jashtë çdo logjike për realitetin ekonomik shqiptar, ku paga minimale është më e ulëta në Evropë”, thotë reagimi që përkujton se shqiptarët e paguajnë karburantin më shtrenjtë se shumë vende të Bashkimit Evropian dhe shton se janë oligarkët e karburanteve që do mbledhin edhe taksën në rrugën e Kombit duke nisur nga java e 2 e muajt prill.
Edhe
Basha për pagesën në “Rrugën e Kombit”: Akt primitiv i urrejtjes nga banda në pushtet
Reagimi ia kujton kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Arben Ahmetaj se qarku i Kukësit është ndër më të varfrit në vend dhe me shkallën më të lartë të papunësisë ndërsa kryeministrit Rama që sa është në kohë, të rishikojë këtë koncesion që rëndon xhepat e varfër të banorëve të qarkut të Kukësit.
“Rruga e Kombit nuk duhet të kthehet në rrugën e turpit”, përfundon reagimi.