Arbëri

Kryeziu: Institucionet t’i mbajnë duart larg nga Gjykata Kushtetuese

Bashkimi Evropian dhe Gjermania i kanë kërkuar të mërkurën Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e gjyqësorit dhe të mos bëjë presion mbi institucionet gjyqësore. Ata kanë theksuar veçanërisht se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi e presioni politik.

Edhe Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se institucionet shtetërore duhet t’i mbajnë duart larg nga Kushtetuesja.

Kryeziu ka theksuar se presioni mbi gjyqësorin ua humb vullnetin gjyqtarëve.

“Në shtetet demokratike ndaj gjyqësorit të gjithë duhet t’i mbajnë duart larg. Ky presion ka ardhur për shkak të autoritetit të shtetit që po ndikon, apo veprojnë ashtu si s’duhet të veprojnë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Qëllimet e autoritetit të shtetit janë politike të cilët nuk mund të ndikojnë, por pak humb vullneti për punë në një institucion që është i pavarur. Nuk kanë të drejtë, nuk duhet të veprojnë por vetëm t’i zbatojnë vendimet e Kushtetueses”, ka thënë ai në emisionin "60 Minuta".

Kryeziu ka shtuar se gjatë qeverisjes aktuale deklaratat kundër sistemit gjyqësor kanë qenë me “volum pak më të madh”.

Ai ka thënë se në Kosovë çështjet juridike janë të lidhura me ato politike, dhe se ka përjashtime në drejtësi.

“Çështjet juridike në Kosovë janë të lidhura me çështjet politike. Ne në fazën e bashkëpunimit me Serbinë, jemi në fazën e krijimit të paqes. Në këtë kontekst në drejtësi thuajse çdo rregull ka përjashtime, duhet të ketë kujdes. Jo që s’kemi të drejtë, por e drejta nuk varet vetëm prej atij që e kërkon të drejtën. SHBA dhe BE janë të interesuar që Kosova të jetë e integruar në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë”.

E sa i përket lidhjes së zbatimit të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryeziu ka theksuar se këtë rrugë Kosova e ka të vështirësuar pa respektuar vendimet e gjykatës.

“Të pamundur nuk e ka, por e ka të vështirësuar. Është pengesë, sepse Kosova e ka për detyrë t’i kryej detyrat e dhëna nga bashkësia ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.