Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar telegram urimi nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Në urim thuhet:
I nderuari z. Haradinaj,
Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të komunës së Preshevës t’ua uroj zgjedhjen Tuaj në pozitën e Kryeministrit të Kosovës.
Roli dhe pozita e kryeministrit të Kosovës nuk është privilegj por përgjegjësi. Unë si kryetare e komunës së Preshevës, jam e bindur në gatishmërinë Tuaj që do të jepni kontributin e pa rezervë për zgjidhjen e problemeve jetësore me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ata të komunës së Preshevës.
Besoj në vullnetin Tuaj për të pasur bashkëpunim vëllazëror për shumë tema të ndjeshme që kërkojnë zgjidhje të përbashkët.
Edhe
Haradinaj premton mbështetje për Luginën e Preshevës
Kontributi Juaj i pashtershëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, është ndihma më e madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Qytetarët e Komunës së Preshevës në veçanti dhe të Luginës në përgjithësi e shohin mundësi të artë rolin e Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të saj, që shqiptarët e kësaj treve të gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë pakicat tjera në Serbi.
Me besimin që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tej, pranoni edhe një herë urimet e mia më të përzemërta.