Qytetarët e Komunës së Podujevës ka disa ditë që janë duke u përballur me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike. Gjatë ditës së enjte nuk ka pasur tri orë rresht rrymë, ndërkohë që reduktime ka pasur edhe në mbrëmje.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, nëpërmjet një reagimi për media ka akuzuar KEDS-in se nuk ka dhënë asnjë njoftim a sqarim për këto reduktime të rrymës, shkruan sot Koha Ditore.
“Ditëve të fundit qytetarët e Komunës së Podujevës janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike pa ndonjë orar të caktuar dhe të paparalajmëruar nga KEDS-i. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, dhe me orë të tëra, po e vështirësojnë jetën e qytetarëve në këto ditë të ftohta. Pavarësisht çrregullimit drastik të furnizimit me energji elektrike, KEDS-i nuk e ka parë të udhës të japë ndonjë informatë apo sqarim”, thuhet në reagimin e Agim Veliut.
(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)