Arbëri

Kryetari i parë i pasluftës në Podujevë kujtohet si njeri që diti t’i menaxhojë “turbulencat politike”

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë e qytetarë të Podujevës i kanë dhënë lamtumirën e fundit kryetarit të parë të pasluftës të kësaj komune, Sylejman Gashit, i cili të martën vdiq në moshën 75-vjeçare.

Në një mbledhje komemorative që është organizuar në Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani” nën patronazhin e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Gashi është kujtuar edhe si menaxhues i “turbulencave politike” të pasluftës.

“Sylejmani ishte kryetari i parë i pasluftës në atë kohë kur kishte turbulenca politike dhe ai ishte aty për të na bërë bashkë, arriti të menaxhonte aq mirë për të na bërë bashkë për të mirën e qytetarëve”, është shprehur Shpejtim Bulliqi.

Kryetari i Komunës së Podujevës ka thënë për Gashin se ka pasur merita edhe në organizimin e zgjedhjeve të para lokale dhe e ka kujtuar atë edhe si pjesëtar i UÇK-së dhe kontribuues në arsim në shtëpitë shkolla.

“Unë kisha fatin e mirë që në vitin 2000 të punojë për disa muaj me Sylejmanin. Atë do ta mbaj në mend përherë si njeri bujar e shumë fisnik. Familjes së të ndjerit dhe mbarë shoqërisë ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta!”, ka thënë ndër të tjera Bulliqi.

Ndërsa, Muhamet Latifi, njëri nga ish-komandantët e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, e ka kujtuar Sylejman Gashin si njeri me vlera të larta atdhetare e intelektuale.

“Sylejman Gashi ka lënë gjurmë në historinë e Llapit dhe Kosovës. Ishte një patriot i çështjes kombëtare. Qysh në moshën e rinisë iu bashkua Adem Deçanit, në vitin 1993 Sylejman Gashi vendosi flamurin mbi varrin e Shaban Shalës, ku më vonë u zbulua dhe u burgos nga ish-regjimi. I ndjeri dhe familja e tij ishte maltretuar nga regjimi i asaj kohe. Iu ndalua edhe shkollimi deri në rënien e Rankoviqit”, ka theksuar Latifi.

Ai ka thënë se Sylejman Gashi para luftës kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe se ka dhënë kontribut edhe në mësimin në shtëpitë shkolla e po ashtu edhe në UÇK.

luftës ai dha kontribut në themelimin e Partisë për Prosperitet e më vonë iu ndërrua emri në Partia Demokratike e Kosovës. Për dy mandate ishte pjesë e Asamblesë Komunale. Ishte kryetari i parë pas luftës dhe më vonë punoi në Ministrinë e Administratës Publike”, ka thënë Muhamet Latifi.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së ka folur Fahri Balaj ndërsa në emër të familjes, e bija e Gashit, Kumria. Ajo ka thënë se është e vështirë të flasësh për babanë në një moment mallëngjyes.

Ka thënë se janë krenarë me punën e prindit të tyre.

Sylejman Gashi është kujtuar edhe si frymëzues për shumë të rinj të asaj kohe për t’iu bashkuar UÇK-së.