Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryetari i Lipjanit ankohet se Qeveria po ia saboton projektet

Projekti për asfaltimin e rrugës Magure-Lipjan, e një varg projektesh të tjera kanë mbetur në gjysmë në Komunën e Lipjanit.

Kryetari Ahmeti, thotë se buxheti ka qenë i ndarë nga Ministria e Infrastrukturës, por më pas mjetet janë ndërprerë, raporton KTV.

Ahmeti që vjen nga LDK-ja, thotë se komuna e Lipjanit mund të jetë lënë anash për shkak se ministritë e tanishme vijnë nga subjekte të tjera politike.

Sipas Ahmetit, investimet të cilat janë ndërprerë në këtë komunë, po shkojnë në komunat e tjera.

Por, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë për KTV-në se nuk qëndrojnë deklarimet e Ahmetit, se Lipjani s’ka marrë përkrahje për shkaqe politike.

Edhe Kryetari i Lipjanit ankohet se Qeveria po ia saboton projektet Video Kryetari i Lipjanit ankohet se Qeveria po ia saboton projektet

“Ne e kemi dëshmuar për këta 8 muaj se nuk ka kryetar komune që nuk e kemi përkrahur pavarësisht prej cilës parti vjen. Ditët në vazhdim do të kemi marrëveshje për të gjitha projektet që do t’i mbështesim, përfshirë edhe Komunën e Lipjanit. Për projektet e nisura nga ministri i kaluar, Lutfi Zharku, jemi detyruar të mos fillojmë në mungesë buxheti, pasi ato kanë qenë të projektuara në letër pa kode buxhetore”, ka thënë Lekaj.

Sipas Lekajt, përveç në Lipjan, projektet infrastrukturore të qeverisjes së kaluar janë detyruar t’i ndërpresin edhe në komunat e tjera si Prizren, Pejë, Podujevë, e komunat veriore.