Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur takon shefin e Misionit të EULEX-it

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj, bashkë me kryetarin e Delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, dhe udhëheqësin e Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, priti sot shefin e EULEX-it , Lars – Gunnar Wigermark, i shoqëruar edhe nga zyrtarët e këtij misioni, Daniele Pancheri dhe Melinda Bytyqi.

Gjatë takimit, krahas diskutimit dhe vlerësimit të bashkëpunimit të deritanishëm, u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, si dhe për regjistrin qendror të personave të zhdukur dhe bashkëpunimin me Serbinë në lidhje me çështjen e personave të pagjetur.

Kryesuesi i Komisionit, krahas vlerësimit dhe shprehjes së mirënjohjes për bashkëpunimin dhe angazhimin e deritanishëm në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, shprehi gatishmërinë edhe për vazhdim të bashkëpunimit të mëtejmë në përpjekjen për zbulimin e fatit të personave të pagjetur.

Shefi i EULEX-it, z. Wigermark, po ashtu shprehi gatishmërinë që me gjithë ndryshimet në mandatin e EULEX-it, do të vazhdohet me përkrahjen dhe bashkëpunimin e mëtejmë me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.