Nga vendi i 93-të, ku ishte renditur në vitin 2018 në luftën kundër korrupsionit, Kosova radhitet e 101-ta për vitin 2019.
“Transparency International” në Indeksin për perceptimin e korrupsionit, vlerëson se Kosova shënoi rënie në luftimin e kësaj dukurie, raporton KTV.
Instituti Demokratik i Kosovës thotë se mungesa e transparencës në shumë institucione si dhe puna e jo e mirë e organeve të drejtësisë, kanë ndikuar që Kosova mos të shënojë ngritje në këtë drejtim.
Sipas KDI-së, Kosova duhet të fokusohet në pavarësimin e sistemit të drejtësisë dhe prokurimin publik.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, thotë se në parim nuk janë të kënaqur me punën e deritanishme në luftimin e korrupsionit.
Gjatë vitit të kaluar janë ngritur 43 aktakuza kundër korrupsionit, por asnjë ndaj zyrtarëve të profilit të lartë.
Ndërsa Prokuroria e Shtetit në një përgjigjeje me shkrim ka theksuar se shumë raste të korrupsionit ende janë në fazën e hetimeve dhe se brenda këtij viti, priten edhe aktakuza të nivelit të lartë.
Sipas zëdhënësit, Ekrem Lutfiu në vitin 2019, Prokurori i Shtetit ka pranuar 419 raste me 771 persona, duke ngritur 233 aktakuza, ndaj po qa personave.
Në anën tjetër, “Transparency International”, në këtë raport, vlerëson se Vetëvendosja, e cila ka kritikuar qeverinë për mosadresimin e korrupsionit, e ka shansin të dëshmojë luftimin e korrupsionit, duke braktisur praktikën e zakonshme të emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore.
Ndërkohë, vendet që kryesojnë me rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit janë: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, derisa në fund, në mesin e 180 shteteve e territoreve, renditen Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.