Njohja e Kosovës nga Greqia do të vazhdojë të jetë synim i institucioneve të Kosovës.
Pavarësisht se këtë të premte në Prishtinë qëndroi shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias, ai nuk pranoi të tregojë se kur Greqia do ta njohë Kosovën.
Me të arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ministri i Jashtëm i Greqisë tha se janë të interesuar për stabilitet në rajon.
“Ne jemi fqinj dhe jemi shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon. Njohja e Kosovës nga Greqia nuk është çështje shprese, por një çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve", ka thënë Dendias.
Vizitën e homologut të saj, paraprakisht ministrja Meliza Haradinaj e cilësoi të rëndësisë së veçantë.
“...përkundër faktit që ka qenë një shtet në mesin e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, Greqia ka vënë një standard të lartë të bashkëpunimit dhe konstruktivitetit ndaj Kosovës, republikës sonë dhe qytetarëve tanë. Dhe siç e dini është po ashtu një sinjal i mirë që marrëdhëniet tona po thellohen, po intensifikohen raportet. Por edhe po ndërtohet një themel shumë i fuqishëm në funksion të ndërtimit të aspiratës tonë që shkon drejt njohjes”, ka thënë Haradinaj-Stublla.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë vizitës në Kosovë ka takuar edhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani.
Në njoftimin për media pas këtyre takimeve është thënë se palët janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.