Arbëri

KRU-ja shkyç nga uji i ngrohtë 413 banesa në “Breg të diellit”, investitori po e keqpërdorte ujin

Ekipe të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, të enjten ia mësynë një kompleksi banesor në Breg të Diellit.

Synimi ishte që banesat e “Standardit” të shkyçeshin nga uji i ngrohtë, meqë kishin gjetur se investitori po e keqpërdorte ujin.

Ekipet e KRU “Prishtina”, të pa penguar kanë shkyçur këtë ndertësë nga rrjeti. Por momentin e shkyçjes mediat nuk u lejuan brenda.

Si shkak i kësaj, pa ujë të ngrohtë mbetën 413 familje.

Askush nga banorët e këtij kompleksi nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për këtë çështje.

Investitori i këtij kompleksi banesor, me vite ka qenë duke e marrë ujin e ujësjellësit dhe të njëjtin e shfrytëzonte për t’ua shitur banorëve si ujë të ngrohtë.

Banorët deri tash paguanin dy fatura, njërën ujësjellësit për ujë të ftohtë e tjetrën investitorit për ujë të ngrohtë.

Investitori pretendonte se furnizimin po e bënte me një pus që e kishte hapur vetë, por që në fakt ujësjellësi ka gjetur se uji nuk i ishte i tij por të njëjtin po e shfrytëzonte ilegalisht nga ujësjellësi.

“Kemi marrë 4 herë mostra të ujit, kemi bërë analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike, kemi marrë mostra në rezervar kemi marrë mostra në bojlerë kemi konstatuar që ai ujë është i ujësjellësit të Prishtinës. Ky është një keqpërdorim klasik i ujit të pijshëm”, u shpreh Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.

Zyrtarët e KRU-së thanë se kjo metodë mund t’i ketë sjellë shumë përfitime investitorit, por i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëme ndërmarrjes, për çka pronari i këtij kompleksi do të përballet me ligjin.

“Dëmi që i është shkaktuar është 127 mijë metra kub apo 110 mijë euro. Masa tjetër që e kemi marrë sot është inicimi i kallëzimit penal për investitorin në fjalë”, shtoi Mjeku.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka tentuar ta kontaktojë pronarin e kompleksit, Nebi Zariqi, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të televizionit.