Sot festohet 105-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Përveç në Shqipëri, aktivitete solemne, me rastin e kësaj dite, do të mbahen gjithandej edhe në Kosovë, raporton KTV.
Kryeministri, Edi Rama, në ceremoninë e organizuar në Vlorë për Pavarësinë e vendit, tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një diasporë dhe do ta trajtojnë si të tillë. Në këtë ceremoni u shpall dhe logoja zyrtare e vitit të Skënderbeut.
“Ky vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut është një vit ardhmërie, i fokusuar te konsolidimi i institucioneve dhe bashkëveprimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke bërë më të mirën përmes bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona”, ka thënë Rama.
Presidenti, Ilir Meta, deklaroi se viti 2018 do të jetë një reflektim mbarëkombëtar për memorien historike dhe identitetin tonë. Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi, tha se Dita e Flamurit është festa e krenarisë kombëtare, si dhe rimëkëmbja e ndërgjegjes sonë. “Shqipëria është anëtare e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s. Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Jemi një komb në dy shtete sovrane. Të dy shtetet tona kanë një ëndërr. Kanë një qëllim. Integrimin në institucionet euroatlantike”, ka theksuar ai.