Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronika Zgjedhore/ “Iniciativa rome” distancohet nga Lista Serbe

Sipas kandidatit për deputet të kësaj iniciative, Gazmen Salijeviq, Lista Serbe nuk mund t’i përfaqësojë interesat e romëve dhe se ky komunitet jeton në shtetin e Kosovës

Prishtinë, 4 shkurt – Ka kohë që ekziston si organizim qytetar, por në zgjedhjet e sivjetme, Iniciativa Rome ka vendosur të garojë dhe të mbledhë votat e komunitetit rom, duke e vënë theksin te distancimi nga politika e Listës Serbe.

Në prezantimin e synimeve të saj, të enjten në Çagllavicë, Gazmen Salijeviq, njëri nga 12 kandidatët për deputetë të kësaj iniciative, ka reaguar ndaj deklaratave të Listës Serbe, se do t’i mbështesin interesat e të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë.

Gjatë një konference për media, ai ka thënë se jetojnë në shtetin demokratik të Kosovës.

“Mjedisi ynë nuk është Kore e Veriut. Jemi shtet demokratik dhe secili punon dhe duhet të ketë plan-programin që nuk është në kundërshtim me Republikën e Kosovës dhe jemi një iniciativë qytetare”, ka thënë ai.

Siç ka vazhduar ai, deklaratat e politikanëve të caktuar nuk e dëmtojnë këtë nismë.

“Ajo çka ne angazhohemi është që përmes punës do të ndihmojmë komunitetin serb të nxirret nga balta. 20 vjet ka jetuar në baltë, sepse ka mbizotëruar një parti, një sistem, ndërsa sistemi komunist është rrënuar në vitin ‘99. Nuk kemi as marrëveshje, as ujdi në përjashtim të komunitetit rom”, ka deklaruar Salijeviq.

Ai ka folur edhe rreth arsyeve të pjesëmarrjes në garë të “Iniciativës Rome”.

Edhe “Iniciativa Rome” për herë të parë garon në zgjedhje në Kosovë Arbëri “Iniciativa Rome” për herë të parë garon në zgjedhje në Kosovë

Romët, siç ka thënë ai, deri më tash nuk janë përfaqësuar siç duhet nga udhëheqësit e saj.

“Iniciativa Rome” është një iniciativë e të rinjve entuziastë, që para së gjithash ka për qëllim që në mënyrën e vet të prezantojë problematikën e romëve në të gjithë hapësirën e Kosovës. E gjithë kjo është pjesë e një rrëfimi se tash e 20 vjet të pushtetit parlamentar është ardhur në përfundim se romët nuk janë përfaqësuar në mënyrë adekuate në institucionet e Kosovës”, ka theksuar Salijeviq.

Romëve u është bërë thirrje për dalje sa më masive në zgjedhje, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetesës për ta.