Me 12 kandidatë, iniciativa qytetare, "Iniciativa Rome", për herë të parë ka hyrë në garën për zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit.
Sipas tyre, romët nuk janë përfaqësuar siç duhet deri më tash, prandaj kjo është edhe arsyeja e pjesëmarrjes së tyre në këtë garë.
Gazmend Salijeviq ka thënë se ata nuk janë me asnjë parti tjetër dhe nuk përfaqësojnë interesat e asnjë komuniteti tjetër, përveç të romëve.
"Nuk kemi lidhje as me serb as me boshnjak. Unë jam rom dhe nuk i përkas asnjë komuniteti tjetër. Dhe do i përkrah romët. Nuk kemi asnjë koalicion me asnjë parti dhe nuk mbështetemi nga asnjë parti. Janë përralla të rëndomta që duan ta rrënojnë integritetin e kësaj iniciative. Fakti që jetoj në Graqanicë nuk do të thotë se jemi me ndonjë komunitet tjetër", ka thënë ai.
Ndërsa kandidatja për deputete e kësaj iniciative, Nadija Gardina, ka thënë se ata synojnë që në të ardhmen të arrijnë më shumë se çfarë është bërë për këto 20 vjet për romët.
Ata kanë bërë thirrje që romët të dalin në zgjedhje të ndryshojnë fatin e tyre.