Pas tortës së ditëlindjes ditë më parë, gjatë një tubimi në Ferizaj, Fatmir Limaj ka marrë edhe një surprizë, e cila e emocionoi atë shumë.
Në ditën e pestë të fushatës elektorale, një simpatizant i kërkoi Limajt të bënin një fotografi, duke ia dorëzuar një fotografi tjetër që kishin bërë ata së bashku, pasi i pari i Nismës kishte dalë nga Haga.
Limaj ka vazhduar të kërkojë besimin e qytetarëve duke folur mbi kauzën e lirisë.
Ka thënë se shteti i Kosovës është duke u rrezikuar nga çdo anë, prandaj, sipas tij tani më shumë se kurrë është momenti në Kuvend të vijë fryma çlirimtare.
"Mos harrojmë mijëra gra që panë tmerrin e dhunimit ka mundësi që historia të na përsëritet. Dhe zëri i çlirimtarëve është këtu dhe do të jetë në Parlament, që mos të harrohet vuajtja dhe dhimbja jonë", ka thënë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj theksoj se Serbia nuk po i pret mirë deklaratat e tij.
"Lexova sot në mediat serbe se janë tronditë nga deklaratat e mia e unë dua t'i përsëris ato deklarata se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe Nisma me hyrjen në Parlament do të paraqesë padi ndaj saj", ka thënë ai.
Gjatë këtij tubimi u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të Ferizajt dhe të Kaçanikut.