Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja synon Presidencën dhe një pjesë të pushtetit në Qeveri

Si president, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të mbrojë territorin, Kushtetutën e sovranitetin e Kosovës, si dhe do ta rrisë nivelin e sigurisë së saj karshi Serbisë. Ndërsa, si pjesë e ekzekutivit do t’i mbështesë kreditë e buta për injektimin e parasë në ekonomi

Skenderaj, 4 shkurt - Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në këto zgjedhje nuk e synon vetëm Presidencën, por edhe një pjesë të Qeverisë. Këtë e ka bërë të ditur gjatë një tubimi në Skenderaj, kur tha ka pasur mjaft qeveri të pakicës.

"Është koha që ta kemi një qeveri që ka shumicë, që ka votë, për të marrë vendime. Aleanca e konsideron si detyrë të saj ta përkrahë qeverisjen nesër, që veprimet të ndërmerren menjëherë, të jenë të shpejta dhe që ato të ndodhin", është shprehur ai.

Me pozitën e presidentit, Haradinaj ka thënë se do të mbrojë territorin, Kushtetutën e sovranitetin e Kosovës, si dhe do ta rrisë nivelin e sigurisë së saj karshi Serbisë. Ndërsa, si pjesë e ekzekutivit do t’i mbështesë kreditë e buta për injektimin e parasë në ekonomi.

"Nëse i rrisim taksat sot, veç do ta varfërojmë vendin më shumë, por duhet të marrim kredi të buta, hua, të lëshojmë para në ekonomi e atëherë të fillojë të rritet ekonomia e vendet e punës. Duhet ta ndreqim në të gjithë sektorët, në të gjithë, por më së shumti duhet ta forcojmë sigurinë, sepse përballemi me Serbinë", ka deklaruar Haradinaj.

Kosova, sipas tij, duhet të shënojë progres në anëtarësim në organizata ndërkombëtare me ndihmën e ndërkombëtarëve, përndryshe vendimi duhet t’u jepet qytetarëve të vendit për bashkimin me Shqipërinë, nëse nuk shënohet progres i theksuar deri në vitin 2021.

Edhe Haradinaj: Në qeverisjen time, prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO Zgjedhjet 2025 Haradinaj: Në qeverisjen time, prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO

“E kam dhënë si opsion që si president i vendit, nëse deri në vitin 2024, se në 2024 ne e shohim a jemi anëtare e OKB-së, a jemi në dyert e NATO-s dhe a kemi ecur drejt BE-së... Duhet t’ua lejojmë qytetarëve të vendosin për bashkim në union me Shqipërinë”, ka thënë ai duke iu referuar reformës kushtetuese, që do t’ua mundësonte qytetarëve të votonin në referendum.

Veç tjerash, ai i ka dhënë mbështetje pikës së Marrëveshjes së Washingtonit, ku përmendet Liqeni i Ujmanit, duke thënë se Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 s’ka të bëjë me ndarje të liqenit me Serbinë.

“Ujmani nuk është një liqen me u nda me Serbinë, por është një liqen për një fizibilitet që e bën Amerika, e që kurrkush nuk i hyn në hise Kosovës në liqen”, është shprehur ai në tubimin qendror të së enjtes, të mbajtur në Mitrovicë.

Dita e dytë e fushatës, për Haradinajn ka filluar në Prekaz, ku e ka vizituar memorialin “Adem Jashari” bashkë me kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe anëtarin e familjes Jashari, Bekim Jasharin. Lideri i AAK-së u shpreh se “është nder të jetë në Prekaz, në vendin e kthesës sonë, vetëdijes e sakrificës sublime të familjes Jashari” dhe “si e do tradita, ta njoftosh kryetarin e komunës, pra të parin, zotin e shtëpisë”.

E, Bekim Jashari u shpreh falënderues për vizitën e Haradinajt.

“Ishte kënaqësi që ta shoqëroj z.Haradinaj sot në nderime pa homazhe këtu në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku vendosi edhe kurorë lulesh pranë gjyshit, bacit Shaban”, është shprehur ai.

Edhe Haradinaj për taksën 100%: I fuqizuam produktet “Made in Kosova” Zgjedhjet 2025 Haradinaj për taksën 100%: I fuqizuam produktet “Made in Kosova”

AAK-ja ka mbajtur tubime në Skenderaj, Vushtrri e Mitrovicë, ku nuk u respektuan masat anti-COVID, me prani të rreth 50 personave në ambiente të mbyllura, derisa kufizimi ligjor, në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19, është 30. Dy gjoba prej nga 2000 eurosh është bilanci i dënimeve të AAK-së për shkelje masash, një nga Komuna e Prizrenit të mërkurën dhe një nga Komuna e Prishtinës në dy ditët e fushatës që përmbyllet më 13 shkurt. Simbolikat e vizitave të tij në vendet të ndryshme ai i ka lidhur edhe në një postim në Facebook.

“Fillova dje në Prizren, vazhdova sot në Prekaz, e ditën e mbylla në Boletin të Mitrovicës, te varri i Heroit Isa Boletini. Dëshirojmë të jetojmë në paqe, por duke e mbrojtur atë që është e jona”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.