Nxënësit kroatë në Bosnjë e Hercegovinë në librin e gjeografisë mësojnë ashtu siç është: Kosova është shtet i pavarur, transmeton Koha.net.
E ky fakt i ka shqetësuar shumë serbët në këtë shtet, të cilët për të përditshmen “blic” të Beogradit nuk kanë ngurruar ta quajnë madje edhe ” hap skandaloz të autoriteteve kantonale me shumicë kroate në Bosnjë e Hercegovinë”.
“Edhe pse Bosnja e Hercegovina kurrë s’e ka njohur Kosovën shtet, kjo gjë s’i ka penguar autoritetet e disa kantoneve që në shkolla fëmijët të mësojnë se Kosova është shteti më i ri në Evropë”, shkruan “Blic”.
Bëhet fjalë për kantonet me shumicë kroate ku në shkolla zhvillohet programi dhe plani arsimor kroat, ndërsa kjo ka hidhëruar shumë serbët, sipas kësaj gazete.
“Kosova pavarësinë e vet nga Serbia e ka shpallur në vitin 2008 dhe prandaj është shteti më i ri evropian”, dhe kjo, thotë zyrtari serb nga Bosnja Dushan Golo, i ka hidhëruar shumë serbët të cilët s’e njohin pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.
“Jemi të zemëruar me këtë veprim të autoriteteve kantonale kroate sepse në ato shkolla vijojnë mësimin edhe nxënësit serbë”,është ankuar Golo.
Edhe
“Pse nuk luajmë me Kosovën në futboll? Duhet të luajmë!”
Politikanë serbë nga B e H kanë kërkuar që urgjentisht nga ky libër të hiqet pjesa për Kosovën dhe ata e kanë ftuar anëtarin serb të Presidencës së B e H-së Milorad Dodik që të reagojë lidhur me këtë rast.
“Ky është vazhdimi i politikës së kroatëve në B e H ndaj serbëve. Nuk bën të lejohet që në shtetin që s’e njeh Kosovën, fëmijët ta mësojnë të kundërtën”, ka thënë deputeti serb Nebojsha Vukanoviq.
“B e H s’e ka njohur dhe nuk do ta njohë kurrë Kosovën, pasi kjo varet nga Republika Serbe. Kosova është tokë e shenjtë serbe dhe Kosova është Serbi. Kështu shkruan në Kushtetutën serbe dhe në kokat e të gjithë serbëve. Vërtetë është e pabesueshme që diçka e tillë shkruhet në librat e gjeografisë të Federatës”, ka folur plot mllef deputeti i Republikës Srpska Lubisha Kruniq.