Albana Berisha-Qehaja, kandidate për profesoreshë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ka akuzuar këtë institut për funksionim nëpërmjet grupeve të interesit. Ajo ka shpjeguar te “Java Sonte me Rronin” një rast për të cilin ka thënë se i është bërë padrejtësi në përpjekjen për të marrë titullin e profesoreshës-asistentes në Departamentin e Menaxhmentit.
Sipas saj, “90 për qind e pozitave nëpër fakultete të UP-së sigurohen ‘paraprakisht’”.
“Zakonisht janë të dedikuara për stafin e brendshëm, edhe pse me ligj duhet të kalojnë për konkurse”, ka thënë fillimisht ajo duke shpjeguar se ka aplikuar për disa pozita, ndërsa vlerësimin nga Komisionet Vlerësuese kanë qenë të ndryshme vetëm në njërin nga to. Në rastin ku thotë se ka qenë e vetmja që i ka plotësuar kushtet për atë pozitë, sipas saj, nga dy profesorë të Komisionit Vlerësues ka dalë një propozim për anulim të konkursit.
Berisha-Qehaja ka thënë se ka përvojë prej më shumë se 11 vjetësh në arsimin e lartë, e se i ka publikuar 12 punime në revista ndërkombëtare.
Ajo ka treguar më tej se ka bërë ankesë në instanca të tjera dhe propozimi për anulim të konkursit s’është pranuar.
Edhe
APK: Rektori i UP-së dhe dekani i Juridikut në konflikt interesi gjatë sanksionimit të Hasanit
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj, ka konfirmuar se ndaj anëtarëve të këtij Komisioni Vlerësues janë marrë masa dhe se ata janë dërguar në Këshill të Etikës. Ai ka paralajmëruar masa të tilla e edhe të tjera shtesë për të gjithë ata që “veprojnë njëjtë”.
Ai është ankuar se ka grupe në fakultet që “sabotojnë universitetin, vetëm që të adresojnë dëshirën e tyre që dikush, si Albana, të mos bëhet pjesë e stafit”.
“E panë veten se po e humbin pozitën dhe ka frikë nga konkurrenca prej stafit, siç është Albana, dhe e kanë shfrytëzuar mundësinë duke u bazuar se deri tash asnjë nga stafi s’është dërguar në Këshill të Etikës, sepse ka neglizhuar punën e vet”, ka deklaruar ia.
E këtë e ka komentuar vetë Berisha-Qehaja. Ajo ka thënë se “grupet e interesit janë kulturë e mbjellë në UP”.
Ndërkaq rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se Senati i UP-së, ka vendosur që të anulohen propozimet sepse janë “jashtë kontekstit”. Ai ka thënë se në disa raste ka pasur tendenca bllokimi.
“Fatkeqësisht po ndodh që të kem rolin e policit. Ka njerëz e individë që mundohen të shkojnë rrugës joligjore. Ka raste të tilla”, ka thënë ndër tjerash ai.
Edhe
Protestojnë asistentët e Mjekësisë: Rektorati po i lë katedrat pa profesorë
Krejt këtë situatë, Berisha-Qehaja e konsideron hakmarrje nga viti 2019. Ajo ka shpjeguar se në një konkurs, kur s’ishte pranuar, kishte vendosur që të publikonte punim “me gabime” në revistën ku kishte publikuar kundërkandidatja që e ka marrë detyrën. Ka thënë se këtë e ka bërë si dëshmi për të bindur UP-në për “dallaveret”. Sipas saj, hakmarrja është bërë sepse “në atë rast kanë qenë të implikuar shumë njerëz të Ekonomikut”.
Pas kësaj, ka thënë se Senati pati vendosur që të kthente në rishqyrtim rastin, por “ka kaluar afati dhe u arrit qëllimi që ajo pozitë të mos realizohej”.