Arbëri

Kritikohet vonesa e zgjedhjes së drejtorit të QPS-së në Podujevë

Pa drejtor tash e tre vjet ka mbetur Qendra për Punë Sociale, që prej marsit të vitit 2019 ku u pensionua ish-drejtori, Osman Jashari.

Prej atëherë, kjo qendër herë është menaxhuar nga ushtrues detyre, e herë ka mbetur në duar të shefave të shërbimeve. Kjo qasje ndaj këtij institucioni po kritikohet nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Drejtori ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka, ka thënë se për shkak se trajton një kategori të ndjeshme të shoqërisë, ky institucion nuk do të duhej të mbetej kaq gjatë pa drejtor.

“Kjo tregon një ngecje të vendimmarrjes në Komunën e Podujevës. Janë disa institucione që ndoshta edhe mund ta vazhdojnë për një periudhë të shkurtër punën pa drejtor. Mirëpo, institucioni siç është Qendra për Punë Sociale që trajton një kategori të shoqërisë sonë, që është kategori e ndjeshme, natyrisht që ishte dashur të shihet me prioritet dhe të përzgjidhet drejtori për këtë qendër”, tha Zeka.

Pa drejtor kjo Qendër ka mbetur gjatë qeverisë së LDK-së e kështu për një vit ka vazhduar edhe gjatë pushtetit të VV-së.

Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se konkurset për zgjedhjen e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale kanë dështuar, për shkak se kandidatët konkurrues nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Zëdhënësi, Fatri Zhitia, thotë se njësoj ka ndodhur edhe në konkursin e sivjetmë, që ishte shpallur në muajin janar.

“Arsyeja kryesore për dështimin e këtij konkursi është që kandidatët, të cilët po aplikojnë, nuk po i përmbushin kriteret e kërkuara për zgjedhjen e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale. Andaj, ne jemi të obliguar që ta rishpallim këtë konkurs, duke shpresuar që kësaj radhe t’i japet rrugëzgjidhje kësaj problematike dhe njëherë e mirë të vendoset një person, i cili me integritet të lartë dhe me përgjegjësi të madhe do ta kryejë këtë punë”, tha Zhitia.

Zhitia ka theksuar se do të rishpallin konkurs të brendshëm për drejtor të Qendrës për Punë Sociale.

Por, sipas tij, tash mundësitë për ta përmbyllur suksesshëm këtë proces janë më të mëdha, pasi tash aplikimi u mundësohet edhe shërbyesve socialë, dhe jo vetëm nga Komuna e Podujevës, por edhe nga komunat e tjera.