Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të vijë për vizitë në Kosovë në shtator, kur edhe pritet të rifillojë dialogu në Bruksel. Ai paralajmërimin e ka dhënë vetë, derisa u është drejtuar serbëve në veri të Mitrovicës përmes telefonit, raporton KTV.
Atje për vizitë ka qëndruar Sekretari i Përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeveri të Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit e thirri gjatë fjalimit në telefon Vuçiqin dhe ai iu drejtua të pranishmëve përmes telefonit.
Vetëm një ditë pasi presidenti i Serbisë doli në një konferencë për media për të folur për situatën e krijuar në Kosovë, zyrtarë të Beogradit kanë vizituar veriun.
Derisa herën e fundit gjatë qëndrimit në këtë pjesë u arrestua nga Policia e Kosovës, kësaj radhe shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe Marko Gjuriq erdhi i përcjellë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjuriq i shoqëruar edhe nga sekretari i përgjithshëm i presidencës në Serbi Nikolla Selajkoviq dhe zyrtarë të Listës Serbe i janë drejtuar qytetarëve të mbledhur në amfiteatrin e fakultetit teknik në veri të Mitrovicës.
Edhe
Vuçiqi flet në telefon direkt me serbët në veri, u premton se “Serbia është me ju”
Fjalimin e nisi kreu i listës serbe Goran Rakiq, i cili e quajti moment historik kohën në të cilën gjendet Kosova.
"Kjo nuk është pyetje politike, por nacionale. Neve na duhet paqe, qetësi dhe prosperitet për fëmijët tanë. Çështja e Kosovës na takon të gjithë neve. Andaj, nga këtu ju them, presidenti Vuçiq, Lista Serbe, populli serb, në ju kemi besim dhe këtë besim ua kanë dhënë në zgjedhje. Ju thërrasim ta vazhdoni luftën për të siguruar një të ardhme më të mirë për serbët në këto troje."
E këtu u lavdëruan qytetarët serbë të cilët u përmbajtën nga deklarimet dhe provokimet e ditëve të fundit që sipas sekretarit të përgjithshëm të presidencës serbe Nikolla Selakoviq ndodhën nga persona të papërgjegjshëm.
"Javëve të fundit ka pasur tentativa të strukturave të ndryshme të atyre që merren me politikë pa e pasur detyrë. Ata gjatë gjithë kohës kanë tentuar t’ju mashtrojnë e të krijojnë atmosferë, e cila nuk është në linjë të njëjtë me presidentin dhe Qeverinë, me shtetin tonë, duke tentuar që të fabrikojnë përralla se ne nuk brengosemi për serbët e Kosovës e Metohisë. Por, ju falënderoj që nuk keni rënë pre e këtyre provokimeve.”
Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe Marko Gjuriq ndonëse gjatë gjithë kohës i është referuar Kosovës si Kosovë e Metohi u ka bërë thirrje serbëve që të vazhdojnë ta ruajnë durimin dhe të jetojnë të qetë.
Kjo pasi sipas tij, Serbia do të vazhdojë t’i mbështesë ata në të gjitha sferat e jetës derisa ata duhet t’i mbajnë trojet e tyre në Kosovë.
"Sot kam ardhur në Kosovë e Metohi në mes tjerash që t’ju them se krenohem me ju, durimin dhe fuqinë tuaj për ta përballuar fushatën e gënjeshtrave që u janë thënë ditëve të fundit. Ata që sot flasim se si Beogradi nuk dëshiron një marrëveshje, punojnë direkt që veriu i Kosovës të mos jetë në Serbi, por ne këtë nuk do t’ua lejojmë. E keni fjalën tonë se çka do që do të ndodhë në të ardhmen, ju do të keni më shumë, jo më pak, por më shumë pavarësi, para dhe mbështetje dhe më shumë Serbi këtu në Kosovë.”
E për t’i përforcuar deklaratat e tij, në këtë tubim Gjuriq i ka telefonuar presidentit serb Aleksandër Vuçic i cili paralajmëroi se në shtator do të qëndrojë në veri për të dëgjuar ankesat e serbëve.
Edhe
Vuçiqi thotë se do ta vizitonte Kosovën nëse e lejojnë ndërkombëtarët
“Do të nisim shumë projekte në infrastrukturë në të gjitha pjesët me serbë dhe projekte të tjera. Ju e dini kush lufton për Kosovën dhe për ju. Asnjë vendim nuk do ta marrim pa ju. Në shtator do të vijë që t’ju takoj dhe t’ju njoftoj për më të rejat. Mbahuni se Serbia është me ju.”
Më pas Gjuriq i shoqëruar nga Selakoviq dhe zyrtarë të Listës Serbe vazhduan takimin jashtë objektit të Fakultetit.