Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krejt çfarë tha Thaçi për takimin me Vuçiqin

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ka ardhur koha për marrëveshjen historike me Serbinë, raporton KTV.

Në një konferencë për media, para takimit me homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, Presidenti Thaçi ka konfirmuar se me Serbinë do të diskutohet edhe për përcaktimin e vijës kufitare. Thaçi ka theksuar se nuk do të lejojnë të cenohet asnjë milimetër i territorit të Kosovës.

Faza finale e dialogut me Serbinë që do të fillojë këtë të diel, sipas presidentit Hashim Thaçi, do të jetë më e vështira.

Në një konferencë për media, ai tha se pas 20 vjetësh negociata në formate të ndryshme, është koha për marrëveshjen historike.

Arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative, sipas Presidentit, është e domosdoshme për anëtarësimin në OKB, BE e NATO.

Një prej çështjeve më të vështira që do të diskutohen është edhe demarkacioni me Serbinë, e për një gjë të tillë, presidenti Thaçi tha se do të kërkojnë ndihmën edhe nga NATO-ja.

Në kundërpërgjigje të mungesës së përkrahjes së rolit të tij si udhëheqës i bisedimeve nga opozita, ai ka ripërsëritur kërkesën për formimin e një ekipi gjithëpërfshirës, çka sipas Thaçit, do të rriste besueshmërinë e procesit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ftoi presidentët Thaçi e Vuçiq që të dielën në Bruksel të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme si dhe të ardhmen e dialogut.