Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar zgjedhje të reja parlamentare në afat sa më të shpejtë të mundshëm, pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni, nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore.
Në një shkrim në Facebook të premten, Krasniqi ka thënë se “Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund”.
“Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!” ka shkruar tutje Krasniqi.
Të premten organet e drejtësisë kanë zhvilluar një aksion ku në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë arrestuar drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Gjithashtu në këtë askion është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi.
Edhe
PDK-ja: Do të kemi zgjedhje
Tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe sipas Prokurorisë Speciale dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’ dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.