Arbëri

Krasniqi: Vonesat e KQZ-së rrezikojnë të pamundësojnë votimin e një pjese të diasporës

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi, ka paralajmëruar se një pjesë e bashkatdhetarëve të regjistruar për votim me postë mund të mos arrijnë të votojnë, për shkak të vonesave në procesin e dërgimit të materialeve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Krasniqit, KQZ-ja për herë të parë e zbatoi këtë metodë në zgjedhjet lokale, por në zgjedhjet e parakohshme afatet janë shumë të shkurtra, duke krijuar zvarritje në planifikim dhe në dërgimin e pakove me fletëvotime. Ai thekson se nëse votuesit nuk i pranojnë materialet me kohë, koha për t’i plotësuar dhe kthyer ato me postë zvogëlohet ndjeshëm, duke rrezikuar që disa prej tyre të mos mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“KQZ-ja ka filluar për herë të parë me këtë metodë të dërgimit të të gjitha pakove me fletëvotime në zgjedhjet lokale dhe ai proces ka shku shumë mirë sepse ishin zgjedhje të rregullta, kishte afate dhe kohë për përgatitje. Tash jemi në zgjedhjet të parakohshme dhe afatet janë shumë të shkurtra dhe siç duket i gjithë ky planifikim i KQZ-së po shkon me zvarritje. Ky problem do të shkaktojë vonesa dhe një pjesë e bashkatdhetarëve që janë regjistruar për votim me postë mund mos ta ushtrojnë të drejtën e tyre sepse nëse ata nuk i pranojnë materialet zgjedhore në kohë, automatikisht kjo kohë shkurtohet dhe ata do të kenë më pak për t’i plotësuar fletëvotimet dhe për t’i kthyer me postë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Krasniqi thekson se problemi nuk qëndron te votuesit, por te mangësitë në organizimin e procesit nga ana e KQZ-së.

Ai shton se votimi me postë vazhdon të jetë forma më e preferuar e pjesëtarëve të diasporës, ndërsa votimi fizik jashtë vendit është shumë më pak i kërkuar. Për këtë arsye, sipas tij, kërkesat për hapjen e qendrave alternative të votimit jashtë Kosovës nuk kanë qenë të arsyeshme, sidomos në një proces zgjedhor të parakohshëm ku organizimi është edhe më i vështirë — dhe më shumë kanë shërbyer për përplasje politike.

Megjithatë, Krasniqi vlerëson se nuk bëhet fjalë për një dështim të KQZ-së, pasi, siç thotë ai, “kurrë s’ka pasur më shumë mënyra për të votuar nga bashkatdhetarët”.

Rreth 76 mijë bashkatdhetarë janë regjistruar për votim me postë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.