Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Sulmuesit e “pelegrinëve” i gjeni në Beograd

Mbrëmë janë sulmuar dy autobusë me pelegrinë serbë në Istog, por nuk ka pasur të lënduar.

Ish-kryeparlamentari, tashmë kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një reagimi ka thënë se sulmuesit e këtyre “pelegrinëve”, duhet kërkuar në Beograd.

Zyrtarët e Kosovës apo kushdo tjetër, thotë ai, kot i kërkojnë e distancoheni nga sulmuesit e “pelegrinëve” serbë ne Istog a diku tjetër në Kosovë, “sulmuesit janë vetëm në Beograd e askund tjetër”.

LEXO EDHE: Në Istog sulmohen dy autobusë me pelegrinë serbë, s’ka të lënduar

“Nuk janë “pelegrinë” ata, që në Kosovë vijnë me logjikën e mitologjisë shoviniste serbe, me logjikën e politikës se gjenocidit serb, me logjikën e medieve serbe që mbjellin përditë urrejtje ndaj shqiptarëve në përgjithësi e atyre të Kosovës në veçanti, nuk mund të vijnë “pelegrinët” në Kosovë me logjikën mitomanisë shoviniste të Kishës serbe në Kosovë”, thotë Krasniqi, transmeton Koha.net.

Tutje, thotë ai, të gjithë e dimë se çka kanë mbjellë për gati një shekull regjimet e ndryshme serbe në Kosovë. Ato regjime kanë mbjellë më se një herë gjenocid në Kosovë.

“Kulmi ishte politika serbe e gjenocidit e ndjekur në mënyrën më të egër gjatë viteve 199o – 1999. Nga ajo politikë, nuk janë distancuar as dje e as sot drejtuesit më të lartë të shtetit në Beograd. Në fjalimin e fundit në Kosovë, Presidentit të Serbisë i vinte keq pse nuk janë realizuar politikat e Millosheviqit. Asnjë keqardhje për politikën e gjenocidit serb në Kosovë. As qeveritarët tjerë serbë, me asgjë nuk dallojnë nga i pari i Serbisë”, shton tutje Krasniqi.

“Shikoni e dëgjoni se çka flasin për çdo ditë zyrtarët më të lartë të Serbisë. Shikoni angazhimet e tyre ku do ku u jepet rasti se çka thonë për shtetin tonë. Shikoni se cili është angazhimi i tyre për të penguar ecjen e Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, të sigurisë e të anëtarësimit në OKB e mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Nëse dikush në ketë hapësirë Ballkanike e ka krijuar frymën e urrejtjes në mes popujve, ajo frymë askund nuk gjendet si në Beograd dhe në të gjitha pushtetet e ati shteti. Si në atë politik e shtetëror, në atë mediatik, akademik e fetar, kudo atje mbjellët urrejtje ndaj shqiptarëve. Një fjalë thotë: “Kush mbjellë erë, korrë furtunë”!”, thotë Krasniqi.

Edhe Haradinaj dënon sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog Arbëri Haradinaj dënon sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog

Krasniqi thotë se shumë furtuna ka mbjellë në shekullin XX Beogradi politik në Kosovë!

“Mbi 100.000 shqiptarë të vrarë e të masakruar, mbi një milion të depërtuar në vende të ndryshme të Botës e zjarrvëniet e përsëritura mbi pasurinë private e publike dhe grabitje prej më të ndryshmeve. Furtunat shkaktojnë tajfune!”, shton Krasniqi.

“Vetëm në Beograd krijohet fryma dhe atmosfera për ardhjen e pelegrinëve paqësor në Kosovë. Atje jo vetëm që nuk është krijuar kjo frymë, por mbillet përditë fryma e urrejtjes! Prandaj, sulmuesit e “pelegrinëve” serb, kërkoni, i keni dhe i gjeni vetëm në Beograd”, përfundon Jakup Krasniqi reagimin e tij.