Arbëri

Krasniqi s’po sheh gatishmëri te asnjëra parti politike për të dalë nga kriza

Bllokada që është krijuar në procesin e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, është pothuajse përsëritje e skenarëve të bllokadës që ishte krijuar në legjislaturën e kaluar në vitin 2014. Të paktën kështu thotë edhe Albert Krasniqi nga KDI që monitoron punën e Kuvendit.

Krasniqi në një prononcim për Koha.net, ka thënë që nga ajo kohë, ka pasur hapësirë të mjaftueshme që partitë politike të ndërmarrin reformat e nevojshme kushtetuese, në mënyrë që të shmangin këto pengesa në konstituimin e Kuvendit dhe eventualisht në formimin e Qeverisë.

“Gjashtë muaj bllokadë u injoruan tërësisht dhe nuk u ndërmor asnjë iniciativë për të sanuar këto pengesa”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se partitë politike me patjetër duhet të dalin nga kjo situatë e krijuar, pasi shihet se askush nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare. Por ai nuk sheh gatishmëri nga asnjëra parti politike që të dalë nga kjo krizë.

“Meqenëse reformat nuk ndodhën, partitë politike duhet të tregohen më të gatshme që të lëvizin nga pozicionet e tyre, në një situatë ku askush nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja. Deri më tani, nuk kemi parë gatishmëri për të dalë nga kjo situatë, për të dhënë diçka nga vetja për hir të krijimit sa më të shpejtë të institucioneve. Për koalicionin PAN, zgjedhja e Kadri Veselit kryetar i Kuvendit është më e rëndësishme sesa konstituimi i Kuvendit, ndërsa për LVV-në dhe LAA-në, zgjedhja e Kadri Veselit është më e dëmshme sesa zvarritja e konstituimit të Kuvendit”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi thotë se duket që partitë politike lënë përshtypjen se ekziston një pajtim i përgjithshëm mbase në heshtje, në mes tyre.

“Meqenëse kemi parë shumë pak përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza, që partitë politike më shumë po janë të interesuara në fatin politik të liderëve të tyre, që pjesa më e madhe e angazhimit të tyre po shkon në kandidaturat për zgjedhjet lokale - e ku shumë deputetë të Kuvendit tashmë do të garojnë edhe për kryetar të komunave - krijohet përshtypja se ekziston një pajtim i përgjithshëm që zgjidhja të prolongohet deri pas zgjedhjeve lokale”.

Sipas tij, lidhja e koalicioneve në nivel qendror, mund t’i dëmtojë partitë politike në rezultatet që mund të marrin në nivel lokal.

“Akuzat në drejtim të personalitetit të kandidatëve janë mjeti kryesor me të cilin partitë politike veprojnë gjatë fushatës zgjedhore. Pesha e këtyre akuzave do të ishte shumë më e vogël nëse bëhen në drejtim të partnerit të tënd në nivel qendror”, shtoi ai.

Ndërkaq për sa i përket idesë së të nominuarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i është drejtuar me një letër të hapur partive politike ku thotë se partitë duhet të propozojnë një kandidat për kryetar të Kuvendit nëse këtë të drejtë nuk e konsumon PAN-i, me qëllim për të dalë nga bllokimi, Krasniqi thotë se një veprim i tillë është ndërmarrë edhe në vitin 2014, por se nuk e konsideron si zgjidhje të duhur.

“Veprim pak a shumë i ngjashëm me atë çfarë po propozon Albin Kurti është ndërmarrë edhe në vitin 2014, kur koalicioni LAN dhe deputetët nga partitë e tjera që së bashku përbënin 2/3 e deputetëve të Kuvendit, kishin zgjedhur Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit. Këtë seancë Gjykata Kushtetuese e kishte quajtur vetëm si një mbledhje, por që kishte anuluar të gjitha vendimet e saj. Prandaj, nuk konsideroj që kjo do të ishte zgjidhja e duhur, pasi vendimi menjëherë do të kontestohet nga PAN në Gjykatën Kushtetuese dhe zvarritja në konstituimin e Kuvendit do të zgjaste edhe për disa muaj”, shtoi tutje Krasniqi.

Megjithatë, sipas tij, krejt kjo situatë e krijuar mund të sjellë të mira që të paktën me rastin do të merrej Gjykata Kushtetuese, e nga ku do të mund të qartësoheshin edhe disa çështje që janë ngritur edhe nga LAA, se a konsumohet e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit nëse ajo nuk ushtrohet, apo nëse dështon kandidati i parë a mund të propozohet sërish i njëjti.