Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Qeveria të mos i rrezikojë minatorët vetëm që ta mbajë në krye të “Trepçës” një militant

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i plotësojë kërkesat e minatorëve të Trepçës.

Ai ka thënë se greva nuk ka qenë zgjedhje e minatorëve, “por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht”.

Krasniqi në Facebook ka thënë se minatorët në grevë nuk janë vizituar nga asnjë prej pushtetarëve.

“Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar. Natyrisht që ikin - sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se Qeveria duhet të marrë veprime urgjente e të mos rrezikojnë vetëm për ta mbajtur “me zor në krye të Trepçës një militant partiak”.

“E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë. Nuk duhet ta rrezikojnë shëndetin e qindra minatorëve vetëm për ta mbajtur me zor në krye të Trepçës një militant partiak. Qysh sot duhet të ketë veprime që mundësojnë ndërprerjen e grevës. Ne nuk do të heshtim para padrejtësive dhe injorimit që po u bëhet kërkesave të minatorëve tanë - heronjve të nëntokës”, ka përfunduar Krasniqi.