Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka reaguar pas kritikave të shumta rreth Ekipit Negociator, që e bashkëkryesojnë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.
Krasniqi, në një postim në Facebook, i është përgjigjur një deklarate të deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili me ironi tha se ky Ekip Negociator në bisedime me Serbinë ka të angazhuar nipa, dajallarë e tezakë.
“Ekipi Negociator për krijimin e Platformës Shtetërore, ka angazhuar disa prej ekspertëve më të mirë lokalë e ndërkombëtarë për Kosovën, në mesin e të cilëve Marc Weller dhe Ben Emerson. Është e pasaktë, qëllimkeqe dhe e paskrupullt tendenca me e krahasu stafin administrativ të Ekipit tonë me ekspertët e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Koha.net.
Por, dje Kohavisioni ka raportuar se Endrit Zabërgja, që është djali i motrës së Limajt, është propozuar që të punësohet në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, pranë Ekipit negociator.
“Mos u shqetësoni. Ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë, ka me i pasë Kosova, veç mos pritni tash që edhe shoferët dhe asistentët me i pasë ekspertë ndërkombëtarë”, përfundon Krasniqi.