Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Po e shoh një garë mes Abdixhikut dhe Hazirit për të parin e LDK-së

Albert Krasniqi i Demokraci Plus ka thënë se ai më tepër po e sheh si garë mes Lumir Abdixhikut dhe Lutfi Hazirit për të parin e LDK-së.

Në garën për kryetar të LDK-së po kandidon edhe Besian Mustafa, mirëpo Krasniqi thotë se nuk e sheh Mustafën si kandidat favorit.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së ka filluar, ndërsa nuk është lejuar prania e mediave brenda.

“Garën më shumë po e shoh mes Z. Abdixhiku dhe z. Haziri. Mendoj se z. Besian Mustafa u deklarua vonë. Ishte e befasishme kandidatura e tij. Nuk është se ka qenë shumë i zëshëm brenda partisë e as në publik, ndonëse ishte zëdhënës i partisë. Ka kohë që të konsolidohet gjatë viteve të ardhshme në parti. Gara më shumë është mes Hazirit dhe Abdixhikut. Haziri i ka përparësitë, është shumë herët në LDK dhe e njeh mirë strukturën e funksionimit. Ka qenë i shkëputur prej nivelit qendror të qeverisjes për një kohë tash. Nuk mund të lidhet me vendime për koalicione dhe gjëra tjera që kanë qenë shumë të gabuara. Këtu u hakmorën. Është konsumuar pak, llogaritet se mund të pjetë pjesë e vazhdimësisë së mentalitetit të njëjtë të qeverisjes së LDK-së. Ky është disavantazhi i tij. Një kombinim i z. Abdixhiku e z. Haziri do të ishte i mirë. Do të ishte i mirë bashkëpunimi mes tyre edhe pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi në KTV.