Në pikën e rendit të ditës, kur në seancë po vazhdon të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar konsensus.
Në emër të GP të PDK-së, Krasniqi ka shprehur vlerësimin dhe mbështetjen për debatin lidhur me një çështje të rëndësisë nacionale, siç është faza finale e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një ndër temat më të rëndësishme me të cilën ballafaqohet Republika e Kosovës, në mënyrë që secili t’i shprehë qëndrimet dhe vlerësimet e veta politike për këtë çështje.
“Që në fillim, duhet theksuar se kjo është një temë që na takon të gjithë akterëve politikë në vend, pa përjashtim, e që po ashtu na takon të gjithëve për të dhënë kontributin aktiv në këtë proces, përmes përfshirjes në të. Prandaj, ne besojmë se konsensusi për Dialogun me Serbinë është më shumë se i dëshirueshëm. Është përgjegjësi e të gjitha partive politike, para së gjithash atyre të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kontributin për këtë proces e shohim si një obligim që e kemi të gjithë karshi vendit dhe qytetarëve tanë”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se nuk mund të mohohet se dialogu i deri tanihsëm ka pasur edhe hapa pozitiv në konsolidimin e sovranitetit të Kosovës.
“Ka vite që Kosova ka dialoguar me Serbinë dhe deri tash ka numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve që janë arritur, me ndërmjetësimin e BE-së. Shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk zbatohen plotësisht e ka të tilla që nuk zbatohen fare. Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti që Dialogu ka prodhuar edhe hapa përpara në konsolidimin e sovranitetit shtetëror te Kosovës, por edhe në procesin e integrimit tonë në familjen evropiane”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Edhe
Krasniqi: Ka ardhur koha që BE-ja t’i japë prioritet Kosovës
Ai ka shtuar se, “është e natyrshme dhe krejtësisht e mirëkuptueshme që të kemi dallime në vlerësimet tona për procesin e deritashëm, por edhe dallime në konceptet tona politike e qeverisëse. Megjithatë, mbyllja e një kapitulli të mosmarrëveshjeve me një shtet fqinj, përfundimi i konfliktit të ngrirë që kemi me Serbinë, duhet të jetë pikë që na bashkon. Para së gjithash, përcaktimi dhe arritja e qëllimeve konkrete nga përfundimi i Dialogut, siç është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe procesi integrues i vendit tonë në BE, duhet të jenë pika të konsensusit tonë të përbashkët”.
Krasniqi ka theksuar se është qëndrim i qartë edhe i Partisë Demokratike të Kosovës që Kuvendi i Kosovës ta ketë rolin e mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes finale në këtë proces të rëndësishëm.
“Mbi këtë parim, me të cilin besoj se duhet të pajtohemi të gjithë, duhet të ulemi dhe të punojmë bashkë, në mënyrë që ta kemi një platformë të përbashkët dhe një ekip të përbashkët përfaqësues. Edhe në të kaluarën marrëveshjet e arritura në Bruksel janë ratifikuar në këtë Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit. Kjo do të ndodhë edhe me marrëveshjen që potencialisht do të arrihet në përfundim të kësaj faze finale të Dialogut”, është shprehur Krasniqi.
Por, sipas Krasniqit kjo fazë dallon nga fazat e mëhershme.
“Kjo fazë do të përmbyllë Dialogun me Serbinë dhe do të prodhojë një marrëveshje ndërkombëtare të obligueshme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. E njëjtë edhe për BE-në që do të jetë jo vetëm ndërmjetës, por bashkë edhe me SHBA-në, edhe garantues i zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Se cila do të jetë marrëveshja, është një çështje që na takon të gjithëve këtu. Por, për ta nxjerrë më të mirën e mundshme, neve na duhet që t’i qasemi bashkërisht dhe përtej pozicioneve partiake këtij procesi. Pozicioni i Kosovës në Dialog fuqizohet vetëm nëse arrihet një konsensus, një gjithëpërfshirje. Ne do të jemi më të dobët nëse në Bruksel shkojmë në mënyrë të fragmentuar”, thotë Krasniqi.
Tek e fundit, Krasniqi shton se Kosova nuk është vetëm e koalicionit të sotëm qeveritar. Kosova është e të gjithëve, pozitë e opozitë, dhe është përgjegjësi e secilit për ta dhënë kontributin e tij në këtë proces.
Edhe
Krasniqi: Dialogu me njohje, fjali e parë që përmbledh interesin tonë
“Kjo vlen edhe për të gjithë bartësit institucionalë në Kosovë, duke përfshi edhe Presidentin e Republikës, udhëheqjen e Dialogut nga i cili disa prej jush ende e kontestojnë. Ne mund të bëjmë edhe interpretime të ndryshme të Kushtetutës sonë, por interpretimet kontestuese nuk mund t’i ndryshojnë prerogativët që e njëjta ia atribuon Presidentit të vendit. Po ashtu, askush nuk po kërkon që vetëm Presidenti të merret me Dialogun. Përkundrazi, kërkesa e të gjithë neve në koalicionin qeverisës është që të bëhemi bashkë pozitë e opozitë për këtë proces. Bashkë edhe me ndihmën e ekspertëve të ndryshëm, të shoqërisë civile, botës akademike, etj”, shprehet Krasniqi.
Ai ka shtuar se nuk duhet askush të frikësohet nga Dialogu. Ai ndërmjetësohet nga BE dhe mbështetet nga SHBA, ndërsa Kosova merr pjesë si shtet i pavarur dhe sovran në këtë proces.
“Tek e fundit, ne nuk kemi pse të frikohemi për të shkuar aty ku na fton Brukseli dhe Ëashingtoni. Sa herë kemi negociuar me Serbinë, me mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë, ne nuk kemi humbur. Me Rambuje ne e fituam lirinë tonë, ndërsa me procesin e Vjenës e fituam pavarësinë tonë. Sot, në Bruksel, ne duhet të kërkojmë dhe të marrim konsolidimin final të sovranitetit tonë shtetëror dhe legjitimitetin e subjektivitetin e plotë ndërkombëtar”, thotë Krasniqi.
Por, për ta arritur këtë na duhet një arritje e konsensusit nacional për parimet themeltare dhe për limitet e negocimit nga ana e Kosovës.
Ai thotë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tashmë ka prezantuar një dokument kornizë për Dialogun Kosovë-Serbi, në të cilin janë të parapara këto parime dhe ky dokument mund të diskutohet dhe të pasurohet edhe më tutje nga të gjithë.
Edhe
Krasniqi: Propozimet e PDK-së për dialogun po bëhen pjesë e qasjes së re
“Normalizimi i Marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndodhë. Prandaj, është mirë që koncentrimi ynë, fokusi ynë, të jetë në përmbajtjen e Dialogut, në qëndrimet e Kosovës në këtë proces. Nëse merremi vesh për këtë, është shumë më e lehtë të pajtohemi për formatin dhe për mënyrën e përfaqësimit tonë. E rëndësishme është që mos t’i ikim përgjegjësisë asnjëri, sepse këtë herë nuk po flasim për një temë që ka efekte për një mandat e prej të cilave mund të humbë apo të përfitojë politikisht një parti apo një tjetër. Sot, po flasim për përmbylljen e konfliktit me Serbinë që do të duhej të ketë efekt të përhershëm dhe që do të krijonte një kontekst të ri politik në rajon, që do të mundësonte paqen për të gjithë dhe integrimin e gjithë rajonit në BE”, është shprehur Krasniqi.
Më tutje Krasniqi ka shtuar, “andaj, ju ftoj, që me gjithë dallimet që kemi, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën për shumë çështje të tjera – e në të cilat kemi dalë fitimtarë - ta bëjmë një debat përmbajtjesor dhe ta ndihmojmë arritjen e konsensusit, sepse kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë dhe për qytetarët tanë. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme që ta jap kontributin e vet maksimal për të arritur këtë qëllim”.