Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Kosova në dialog duhet të shkojë me kërkesa maksimaliste

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova duhet të shkojë në dialogun me Serbinë me kërkesa maksimaliste.

Sipas tij, një kërkesë e tillë është edhe kërkesa për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. Ai është shprehur i habitur pse “opozita po thotë se nuk duhet të kërkohet Lugina”.

“Nuk ka shqiptarë që nuk e do bashkimin e Luginës me Kosovën. Ku e dinë ata se nuk mund të ndodhë. A mund të jetë kjo kërkesë maksimaliste e Kosovës? Pse këta njerëz mendojnë se Kosova nuk mund të kërkojë më shumë? Të njëjtit njerëz para dhjetë vjetëve, pak ditë para pavarësisë nuk kanë besuar se ajo do të ndodhë, e sot fatkeqësisht janë në Kuvend. As sot nuk e besojnë që Kosova mund ta kërkojë Preshevën. A është kundër interesave kombëtar ta kërkojmë bashkimin e Luginës me Kosovën? Nuk them që do të ndodhë, por pse të mos provojmë. Nuk është e tepërt ta kërkojmë një gjë të tillë. Është e pajustifikueshme dhe e pakuptimtë kur përfaqësuesit e shqiptarëve thonë se nuk bën të kërkohet”, ka thënë ai në një konferencë për media.