Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Kosova ka nevojë për ndërtimin e një qëndrimi unik të institucioneve në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.
Ajo thotë se nëse Ligji për Delegacionin mund të kthehet mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, nevoja për bashkërendim të veprimeve nga institucionet relevante është më se e nevojshme.
“Kur jemi në një situatë të tillë ku Ligji për Delegacionin mund të kthehet mbrapsht, duhet të kthehemi tek nevoja për ndërtimin e një qëndrimi unik”, ka thënë ajo.
Ajo, në “Express Intervista” në KTV, ka thënë se tentativat brenda ligjit kanë dashur të arrijnë një rregull të përgjithshëm për dialogun, mirëpo sipas saj, është Kushtetuta ajo e cila vendos.
Krasniqi thotë se deputetët e Kuvendit kanë pasur rastin t’i japin vlerësimet e tyre për këtë ligj kur Gjykata Kushtetuese u është drejtuar atyre, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Edhe
Shoqëria Civile kërkon që kryeministri i ardhshëm të udhëheqë dialogun me Serbinë
“Gjykata Kushtetuese ka kërkuar interpretim nga deputetët, por nuk ka pasur. Tash mbetet të shihet nëse ajo ka hedhur poshtë vetëm disa nene apo krejtësisht ligjin”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, roli i Presidentit në procesin e dialogut duhet të jetë në bazë të kompetencave të tij.
Krasniqi thotë se kanë kërkuar që në dialog krerët shtetërorë të shkojnë të bashkërenduar.
Ndërkaq, thekson se ka qenë shqetësuese kur presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë shkuar me teza të ndryshme në tavolinën e bisedimeve.
“Ka qenë shumë shqetësuese për ne, që Presidenti ka shkuar me një tezë të tij, e në anën tjetër është Kryeministri i cili thotë që nuk do të preket territori. Qëndrimet e kundërta e dëmtojnë procesin e dialogut. Kuvendi edhe Qeveria kanë rolin e tyre në procesin e dialogut. Ne kemi kërkuar që të kemi një konsensus të gjerë për procesin e dialogut”, ka thënë ajo.
Krasniqi thotë se mosqartësimi i kompetencave të institucioneve të Kosovës ka sjellë deri tek situata ku më shumë është diskutuar se kush duhet të udhëheqë me dialogun e jo çfarë duhet të bisedohet.
Edhe
KDI: Haradinaj duhet t’u prijë bisedimeve, në koordinim me Thaçin
“Serbia është duke e kushtëzuar dialogun. Palët janë të stacionuara. Taksa nuk duhet të përdoret si mjet për të sulmuar njëri-tjetrin. Dialogu është në të mirë të Kosovës dhe si i tillë duhet të vazhdojë”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se skena politike duhet të jetë serioze në temën e dialogut.
“Nëse vendos Kosova që nuk do të vazhdojë me dialogun, duhet edhe t’i bartim pasojat. Një gjë mbetet e qartë se kushdo që vjen në pushtet, opozita duhet të jetë e përfshirë në këtë proces”, ka shtuar ajo.
Krasniqi thotë se është koha të lihen anash inatet politike dhe të ulen të gjithë që të bashkërendojnë veprimet.
“Institucionet e Kosovës nuk duhet të shkojnë me teza të ndryshme në dialog. Duhet të ketë bashkërendim politik”, ka shtuar ajo.
Lidhur me Samitin e Parisit, që pritet të mbahet më 1 dhe 2 korrik, ajo tha se ai i dedikohet veçanërisht Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas saj, nëse nuk ka lëvizje të pozicioneve nga të dyja vendet, takimi mund të dështojë.
Edhe
KDI: Pas aktgjykimit të Kushtetueses, dialogu të udhëhiqet nga Kryeministri dhe të mbikëqyret nga Kuvendi
“Gjasat më të mëdha është që Samiti do të dështojë. Kosova duhet të shohë cili është interesi i saj, dhe interesi i saj është të rikthehet në tryezën e bisedimeve”, ka potencuar ajo.
Krasniqi në fund ka thënë se presioni duhet të bie mbi Serbinë pasi është ajo e cila e ka bllokuar dialogun.