Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja ia kërkon paratë për zgjedhje Ministrisë së Financave pas shpalljes së tyre

Foto: Driton Paçarada / Koha

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që më 22 gusht të mbahet seancë për shpërndarjen e Kuvendit, u ka hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj, nga pozita e kryeministrit.

Subjektet politike në Kosovë tashme kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, madje edhe kanë nisur fushatën parazgjedhore pa u caktuar zgjedhjet.

Në anën tjetër, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se ende nuk kanë para për fillimin e përgatitjeve për zgjedhje.

Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky vit nuk ishte parashikuar si vit zgjedhor dhe prandaj në Ligjin e Buxhetit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Ai thotë se pas shpalljes së zgjedhjeve, KQZ-ja do të bëjë kërkesë në Qeveri për mjetet e nevojshme financiare.

Ndërsa, sa më shpejt që do të miratohej kërkesa për mjete financiare, pas paraqitjes së saj, Elezi thotë se kjo do ta lehtësonte tej mase punën e KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve.

“Mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, KQZ-ja bën kërkesë në Qeverinë e Kosovës për mjetet financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

“Zgjedhjet e kaluara parlamentare, të cilat po ashtu kanë qenë të paplanifikuara, kanë kosto të përgjithshme shumën 4 milionë euro. Por, se sa do të kushtojnë zgjedhjet eventuale, ne nuk mund ta dimë tani. KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të merret vendimi përshpalljen e tij. Prandaj, në këtë drejtim ne ende nuk kemi bërë ndonjë planifikim të buxhetit.” , thotë Elezi.

Edhe KQZ: Pasi të shpallen zgjedhjet e bëjmë planifikimin e buxhetit Arbëri KQZ: Pasi të shpallen zgjedhjet e bëjmë planifikimin e buxhetit

Zyrtarë të Ministrisë së Financave, ndërkaq, pohojnë se mjetet financiare për organizimin eventual të zgjedhjeve, ekzistojnë në këtë ministri.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në largim të Financave në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas kërkesës të KQZ-së, ministria do të sigurojë mjetet e nevojshme.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.