Rreth 28 milionë euro mund të kapë fatura totale e të gjitha proceseve zgjedhore që do të mbahen gjatë vitit 2025 në Kosovë. Brenda pak ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’ia dërgojë Qeverisë kërkesën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 28 dhjetor 2025.
Ndonëse KQZ-ja ende nuk e ka bërë publike shumën e saktë të planifikuar për këto zgjedhje, përllogaritjet paraprake sugjerojnë se kostoja mund të jetë e ngjashme me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, çka do ta çonte shpenzimin total të këtij viti zgjedhor në rreth 28 milionë euro, ku përfshihet edhe organizimi i zgjedhjeve lokale në dy runde.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se për zgjedhjet e 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa deri tani janë shpenzuar rreth 7.9 milionë euro. Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të cilat përfshijnë edhe rundin e dytë, ishin planifikuar mbi 10.5 milionë euro. Raporti përfundimtar i shpenzimeve për këto procese është ende në përgatitje.
“KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuara për një proces të ri zgjedhor që nuk ka qenë pjesë e buxhetit vjetor. Në mbledhjen e radhës pritet të miratohet planifikimi buxhetor për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa kërkesa për buxhet do t’i përcillet Qeverisë për miratim”, ka thënë Elezi për “Ekonomia Online”.
Ai shtoi se Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e kostos së planifikuar. Pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohen për pagesat e trupave zgjedhore dhe stafit të angazhuar përgjatë gjithë procesit zgjedhor.
-
Rreth 8 milionë euro, kostoja e zgjedhjeve të parakohshme
-
Gati 11 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme, fushata 10-ditore nis më 28 maj
-
Fushata zgjedhore nis nga 28 maji, KQZ-ja thotë se organizimi i zgjedhjeve kalon 10 milionëshin
-
Afro 8 milionë euro fatura e zgjedhjeve të reja
-
Dërgimi i fletëvotimeve në diasporë rrit koston e zgjedhjeve në 11.5 milionë euro