Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kthyer përgjigje zyrtare në adresë të tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, duke i hapur rrugë fazës tjetër – mbledhjes së nënshkrimeve, ka bërë të ditur zëdhënësi Valmir Elezi.
Elezi ka bërë të ditur se me këtë përgjigje, KQZ-ja ka njoftuar edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Grupet Nismëtare në këto tri komuna.
Ai ka treguar për përmbajtjen e përgjigjeve të KQZ-së.
Sipas tij, KQZ-ja ka njoftuar kryesuesit e tri kuvendeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%.
“Së pari, nga verifikimet, KQZ-ja përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse... Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13,441. Nga ky numër, 2,689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6,732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1,347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, tha Elezi.
Sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, “grupi nismëtar, brenda 30 ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm një herë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për 15 ditë tjera”.
Edhe
Më 21 prill votimi për shkarkim të kryetarëve në veri
Sipas pikës 7 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ, nëse pas të gjitha afateve, nuk arrihet të plotësohet numri i nënshkrimeve prej së paku 20% të votuesve të regjistruar, KQZ konstaton se kërkesa nuk është mbështetur dhe iniciativa konsiderohet e pavlefshme.
Por, sipas pikës 9 të të njëjtit nen, në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Më 12 dhjetor, të tre kryesuesit e Kuvendeve Komunale kërkuan nga KQZ-ja të dinë nëse anëtarët e grupeve nismëtare janë votues në komunat përkatëse dhe se sa është 20% i votuesve në secilën nga këto komuna./ksp
-
Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri
-
Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore
-
KQZ-ja thotë se ka pranuar kërkesat për shkarkimin e kryetarëve të tri komunave veriore
-
Serbët paraqesin kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri