Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën i është drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim. Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
KPK-ja ka vlerësuar se dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është “esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend”.
Gati një vit ka kaluar që kur Prokuroria e Shtetit ka mbetur pa kryeprokuror. Këshilli Prokurorial në prillin e vitit të kaluar pati votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit, e më pas emri i tij ka shkuar te presidentja Vjosa Osmani për dekretim.
Prej atëherë, Osmani nuk e ka trajtuar këtë çështje.
Një burim i KOHËS muaj me parë pati deklaruar se presidentja Osmani është duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Në rast se ky institucion do ta konsideronte këtë ligj në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të ndërrohej përbërja e Këshillit Prokurorial, e më pas në rast se presidentja nuk do ta dekretonte Isufajn do t’i hapej rruga një prokurori të ri.
Megjithatë, ligji tashmë është shpallur antikushtetues, e në rast se Osmani nuk e dekreton kandidatin e propozuar, nënkupton që vendimmarrja të kthehet sërish te Këshilli Prokurorial, i cili mund të vendosë sërish për kandidatin e njëjtë.
Gara për kryeprokuror qe hapur vitin e shkuar pasi i skadoi mandati ish-kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.
Prej atëherë, institucioni më i rëndësishëm i hetuesisë udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Besim Kelmendi.