Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kostoja e promovimit të Veselit, me para të Kuvendit prezantohet nëpër spote

Portali Ekonomia Online është duke i realizuar videot promovuese të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Për to, buxheti i Kosovës ka paguar afër 9 mijë euro për 6 muaj.

Kjo nuk ishte pranuar javën e kaluar nga Sekretariati i Kuvendit, kur KTV-ja kishte kërkuar sqarime. Aty është thënë se videot po bëhen nga stafi në kabinet të kryetarit Kadri Veseli.

Informacionet televizionit megjithatë i janë mundësuar pas një kërkese të bërë, duke shfrytëzuar Ligjin për qasje në dokumente publike.

Në aneksin 1 të kontratës, ku jepen specifikimet teknike të detyrueshme, në pikën 3, thuhet se kontraktuesi duhet të ndjekë aktivitetet e kryetarit jashtë ndërtesës së Kuvendit, sipas agjendës së konfirmuar nga Zyra e kryetarit.

Operatori i kontraktuar do të ofrojë shërbimet e kërkuara gjatë vizitave të kryeparlamentarit nëpër Komuna të Kosovës, ku përfshihen bizneset, OJQ-të, institucionet arsimore, shëndetësore dhe shoqata të ndryshme, shkruan në kontratë.

Kontrata 6 mujore taksapaguesve u ka kushtuar 8 mijë e 970 euro dhe është nënshkruar pa shpallur tender dhe Ekonomia Online është zgjedhur me procedurë të negocimit.