Zgjedhjet për presidentin amerikan po priten me entuziazëm edhe në Kosovë.
Qytetarët ndonëse kanë preferencat e tyre për presidentin e ardhshëm, ata shprehen të sigurt se qasja e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë pavarësisht se kush e fiton garën, raporton KOHA.
Për shoqatën “Miqtë e Amerikës”, nuk është e rëndësishme se cili prej kandidatëve fiton, tek theksojnë se si Trumpi ashtu edhe Bideni kanë bërë atë që kanë mundur për Kosovën.
“Zoti Biden është i lidhur me Kosovën është i dëshmuar me veprime konkrete. Zoti Biden ka bërë shumë për Kosovën por edhe zoti Trump e ka bërë atë që ka mundur ta bëjë. Prandaj po them cilido nga kandidatët që do të fitojë ka fituar Kosova”, ka deklaruar Agim Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës”.
Por profesori i shkencave politike në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, thekson se një fitore e dytë e Donald Trumpit do të ishte ogurzezë për marrëdhëniet Kosovë- Amerikë.
“Joe Biden e njeh mirë çështjen e Kosovës është i angazhuar me vite për çlirimin e Kosovës, ka mbështetur bombardimet e NATO-s në Kosovë, ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës në integrime dhe në Amerikë në botën amerikane sot nuk ka edhe shumë njerëz që kanë njohuri konkrete direkte siç ka Joe Biden për çështjen tonë”, ka pohuar Kraki.
Kandidati Donald Trump e ka bërë pjesë të fushatës së tij Kosovën duke e përmendur disa herë arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës e Serbisë.
Për Kosovën në fushatë zgjedhore ka folur edhe kandidati demokrat Joe Biden, veçse ai ka shfaqur një vizion për marrëdhëniet Kosovë-Amerikë, ku, ndër të tjera, ka deklaruar se nën administrimin e tij pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, dhe se Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë.